Përfaqësuesja Speciale Caroline Ziadeh viziton Komunën e Dragashit

Aktualitet6 muaj më parë425 shikime

Komuna e Dragashit mirëpriti sot një vizitë të rëndësishme zyrtare nga Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, znj. Caroline Ziadeh, e cila ishte e shoqëruar nga përfaqësues të Zyrës së UNMIK-ut në Pejë dhe të shoqatës partnere “Advancing Together”.

Delegacioni u prit në Zyrën e Kryetarit nga z. Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal, znj. Arijeta Skeraj, nënkryetarin për komunitete, z. Fejsal Halilović, drejtorin e Shëndetësisë, z. Behar Brenoli, shefin e Zyrës për Komunitete, z. Uzair Hamza dhe zyrtaren për Barazi Gjinore, znj. Lindita Kozmaqi Piraj.

Temë qendrore e takimit ishte vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet Komunës së Dragashit dhe UNMIK-ut, raporton Televizioni Opoja, e me theks të veçantë në projektet e përbashkëta si Papa Testi dhe përmirësimi i shërbimeve dentare në QKMF “Adem Berisha”.

Kryetari Xheladini falënderoi znj. Ziadeh dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke vënë në pah se ky bashkëpunim është dëshmi e partneritetit të fuqishëm në dobi të qytetarëve. Ai prezantoi disa nga politikat për fuqizimin e komuniteteve dhe barazisë gjinore, duke theksuar se në Komunën e Dragashit respektohet dygjuhësia dhe ndarja proporcionale e mjeteve sipas përqindjes së popullsisë. Po ashtu, ai përmendi emërimin e katër grave në pozita udhëheqëse si një hap konkret për barazi gjinore.

Në fjalën e tij, Xheladini potencoi se shërbimet shëndetësore ofrohen falas jo vetëm për qytetarët e Dragashit, por edhe për ata nga Shqipëria, ndërsa përmendi edhe ndërtimin e ordinancës dentare në katin përdhes të QKMF-së për personat me nevoja të veçanta.

Në aspektin arsimor, ai informoi për sigurimin e transportit pa pagesë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme tashmë dy vite me radhë, që sipas tij ka ndikuar në mbajtjen e nxënësve në komunë, uljen e kostove për familjet dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

Në përgjigje të interesimit të znj. Ziadeh për burimin e financimit të këtyre shërbimeve, kryetari theksoi se mjetet burojnë nga kursimet e shpenzimeve të panevojshme. Ai shtoi me krenari se gjatë katër viteve të qeverisjes në komunë nuk është ngritur asnjë aktakuzë për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare; realizimi i investimeve kapitale ka arritur 98%; Raportet e Auditorit kanë qenë të pamodifikuara dhe komuna ka qenë përfituese e Grantit të Performancës për tre vite radhazi, me pritje për ta fituar edhe në vitin e katërt.

Përfaqësuesja e OKB-së u shpreh e impresionuar me punën dhe angazhimin e institucioneve komunale dhe u shpreh e gatshme për thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Vizita u përmbyll me një inspektim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ku përfaqësuesit ndërkombëtarë u njohën nga afër me kushtet e punës dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore, veçanërisht ato dentare dhe Papa Testi, si pjesë e projekteve të përbashkëta UNMIK–Komuna.

Në fund të vizitës, Kryetari Xheladini ndau dhurata dhe mirënjohje për përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe partnerët, në shenjë respekti dhe falënderimi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të frytshëm.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...