Përkujtohet jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit, Vahidin Hajrizi nga Kuklibegu

Personazhe7 muaj më parë1.1K shikime

Në komunën e Dragashit sot po përkujtohet figura e njërit prej bijve më të dalluar të kësaj treve, dëshmorit të kombit, Vahidin (Xhimshid) Hajrizi nga fshati Kuklibeg. Me një jetë të shkurtër, por të mbushur me përkushtim ndaj çështjes kombëtare, Vahidini mbetet një nga shembujt më të ndritur të sakrificës për liri dhe dinjitet.

I lindur më 22 tetor 1969, në një familje të ndershme e patriotike të Kuklibegut, Vahidini që në moshë të re shfaqi ndjenja të thella atdhetarie. Shkollimin fillor e kreu në Bresanë, ndërsa mësimet e mesme i vijoi në gjimnazin “Emin Duraku” në Dragash, ku shpejt u dallua për maturinë, inteligjencën dhe përkushtimin e tij.

Në vitet 1988-1989, kur minatorët e Trepçës ngritën zërin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, protestat për solidarizim me ta shpërthyen anembanë vendit. Ndër nxënësit më të zëshëm që udhëhoqën këto protesta në Dragash ishte pikërisht Vahidin Hajrizi. Ai, bashkë me shokët e tij të klasës, organizoi tubime e manifestime në shkollën e mesme, por edhe në shkollën fillore të Bresanës, duke i bërë thirrje bashkëmoshatarëve për qëndresë dhe rezistencë.

Veprimtaria e tij kombëtare nuk kaloi pa u vërejtur nga strukturat e pushtetit të atëhershëm. I përndjekur nga agjentët e UDB-së, Vahidini disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua. Si pasojë e angazhimit të tij patriotik, ai u përjashtua nga shkolla, duke iu mohuar mundësia e vazhdimit të studimeve të larta, një dëshirë dhe ambicie që ai e kishte shprehur shpesh.

Përndjekja nuk u ndal as kur ai mori ftesën për shërbimin ushtarak në APJ (Armata Popullore Jugosllave). Fillimisht i dërguar në Sombor dhe më pas në Divulje të Splitit, Vahidini vazhdoi të përballej me interrogime dhe presione të vazhdueshme.

Më 26 prill 1990, familja dhe bashkëfshatarët e tij morën lajmin tragjik: Vahidini kishte humbur jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak. Zyrtarisht, autoritetet jugosllave deklaruan se vdekja e tij kishte ndodhur si pasojë e “mors suspensi violenti” (vdekje e dhunshme – varje). Megjithatë, duke pasur parasysh karakteristikat e tij, presionin e vazhdueshëm dhe trajtimin që i ishte bërë, askush nuk dyshon se bëhej fjalë për një vrasje të qëllimshme – një akt i pastër i likuidimit politik, siç kishte ndodhur me shumë ushtarë të tjerë shqiptarë në atë kohë.

Trupi i pajetë i Vahidin Hajrizi u soll në vendlindje me arkivol të mbyllur. Ceremonia e varrimit u shndërrua në një manifestim dhimbjeje e krenarie, ku morën pjesë qindra qytetarë nga Dragashi dhe më gjerë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e tij.

Në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tij në çështjen kombëtare, më 12 prill 2017, institucionet e Republikës së Kosovës i dhanë Vahidin Hajrizi titullin e lartë: “Dëshmor i Kombit”.

Emri dhe sakrifica e tij mbeten të përjetshme në memorien kolektive të popullit shqiptar. Ai është dhe do të mbetet simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë së pakufishme për atdheun.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...