Drejtoria e Arsimit në Dragash, në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, organizoi Olimpiadën Matematikore Komunale, e cila u mbajt sot në ambientet e shkollës “Ruzhdi Berisha” në Dragash.

Si pjesë e kësaj olimpiade, sot iu nënshtruan testimit qindra nxënës, fitues të olimpiadave shkollore nga shkollat fillore dhe ajo e mesme e komunës sonë.

Drejtori i Arsimit, z. Zeni Krasniqi, i motivoi nxënësit pjesëmarrës duke u uruar atyre sukses në këtë olimpiadë dhe edhe në garat e tjera shtetërore e ndërkombëtare. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës “Ruzhdi Berisha”, z. Lulzim Ahmeti, i siguroi nxënësit se përvoja si kjo është shumë e mirë dhe ndikon jo vetëm në mësim, por edhe në përqendrim e bashkëpunim ndërmjet nxënësve, duke i uruar ata për suksese në këto gara.

Kujtojmë se fituesit e kësaj gare do të jenë pjesë e Olimpiadës Kombëtare që mbahet në Prishtinë më datë 16.11.24. Fituesit e Olimpiadës Kombëtare do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Botërore që do të mbahet në Australi gjatë vitit 2025.

Vajzat fituese mund të kualifikohen edhe për në Olimpiadën e Vajzave Evropiane, e cila do të mbahet për herë të parë, ndërsa nxënësit e klasëve të VII, VIII dhe IX do të jenë pjesë e Olimpiadës Mbarëkombëtare.

©TVOPOJA