Drejtori i Arsimit Vloran Cenaj në mbështetje të kompetencave të tij ligjore dhe në pajtim me rekomandimin e kryetarit të komunës z.Shaban Shabani ka miratuar vendimin për ndarjen e mirënjohjeve për mësimdhënësit e pensionuar nga data 07 Mars 2020 deri më 07 Mars 2021.
Mësues të dashur kudo që ndodheni, ju përkulem sot, këtu, përpara jush në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë punën tuaj, sakrificat e mundin në profesionin tuaj kaq fisnik dhe dinjitoz, siç është profesioni i mësimdhënies, duke ju uruar “Gëzuar festën tuaj, 7 Marsin”.
Më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.
Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar veçanarisht mësuesit e viteve të 90 -ta, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar.
Duke kujtuar 7 marsin –Ditën e Mësuesit nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve dhe punëtorēve të arsimit si: Bislim Kuteli, Samet Halimi dhe Sabatin Tahiri të cilët e humbën betejën në këtë pandemi globale.
Të dashur mësues sot ndihem i nderuar që gjendem këtu mes jush dhe i lumtur që urimin e festës së 7 marsit, festës që nderon punën tuaj kaq fisnike dhe të dashur për të gjithë, ta përcjellë edhe sot nga detyra e drejtorit të arsimit.
©TVOPOJA