Partia Socialdemokrate ka njoftuar se sot ka hapur një seli në Sharr. Përmes një komunikate për media, ata kanë bërë të ditur se në hapje kanë marr pjesë sekretarja e përgjithshme, Aida Dërguti.
“Zgjerimi dhe shtrirja e Partisë Socialdemokrate po vazhdon gjithandej Kosovës. Me rastin e hapjes së zyrës së PSD-së sot në Sharr, sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti dhe koordinatori i degës për Sharr Azdren Shala; paraqiten platformën socialdemokrate dhe ftuan qytetarët që të angazhohen për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimore dhe barazimtare”, thuhet në komunikatë.
Sipas PSD-së, rajoni i Sharrit përballet ende me probleme ekzistenciale, si pasojë e papërgjegjësisë së qeverisjeve lokale dhe të shpërfilljes së vazhdueshme nga qeveritë në nivel qendror.
Partia Socialdemokrate me politikat e saj për rishpërndarje më të drejtë sociale dhe për decentralizime mbi nevoja socio-ekonomike, mbetet alternativa e duhur edhe për Sharrin, i cili po e paguan koston e politikave neoliberale të qeverive të pasluftës në Kosovë, të cilat i thelluan pabarazitë shtresore dhe i zhyten edhe më shumë në periferi, zonat më të pazhvilluara të Republikës.
Në këtë takim PSD-së ka folur edhe për problemet të cilat janë në Sharr.
“Furnizimi me ujë të pijshëm dhe cilësia e ujit mbeten probleme të kësaj komune, përkundër burimeve të shumta të ujit që ndodhen në territorin e saj. Degradimi i vazhdueshëm i mjedisit dhe të hapësirave publike, mungesa e investimeve, si dhe gjendja jo e mirë të infrastrukturave; po e vështirësojnë çdo ditë e më shumë përditshmërinë e banorëve të kësaj zone, me potencial të madh në burime natyrore”, thuhet në komunikatë.