Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiq tha se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-së dhe Kosovës.
“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, tha Koçijançiq.
Qeveria e Kosovës ka rritur taksën në importe për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
10 për qind është rritja e taksës për të gjitha produktet që vijnë nga këto shtete duke përjashtuar ato që janë brende ndërkombëtare. Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i cili propozoi këtë masë, tha se është praktikë ndërkombëtare. Kjo u përkrah edhe nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj që e cilësoi si kundërpërgjigje ndaj fushatës së egër të Serbisë.