Mesazhi i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i botuar nga redaksia e televizionit Opoja nga autori Bedri Halimi
Një luftë pa mesazh i ngjan një shtëpie pa kulm e cila sado mirë të jetë bërë, po s`iu vu kulmi, me kohë shirat e vjeshtës e dobësojnë, kurse furtunat e dimrit plotë borë e acar mund ta marrin atë me vete për gjithmonë. Kështu për të mos ndodhur kjo mesazhi që do ta ripotencojmë në vijim, bëhet edhe më kuptimplotë, kur kihet parasysh se tani dy decenie pas ndodhjes së Luftës Çlirimtare të Kosovës të bërë nga UÇK-ja, mbi të, pos lavdisë së merituar, në kundërshtim me realitetin historik, hidhet baltë nga brenda e nga jashtë.
Nga ana tjetër, as konteksti themelor i vet ndodhjes së Luftës Çlirimtare, ai i të drejtës së Kosovës për Vetëvendosje në çka u thirr UÇK-ja, po për shkaqe të jashtme e të brendshme, ndonëse gjendet drejtë realizimit, ai ende nuk është realizuar, kurse zhvlerësimi i luftës së bërë, të drejtën e këtillë e dobëson edhe më. Me fjalë të tjera, po të ikë UÇK-ja, siç po punojnë për këtë ditë e natë ca shqiptarë, ajo nuk ikë vetëm por bashkë me kërkesën e saj politike, kontekstin historik të pavarësimit të Kosovës, me ç`rast shkaku dhe pasoja do të neutralizonin njëra-tjetrën duke rënë në pikën zero, dhe kjo do të thotë mbetje e Kosovës sërish nën Serbi.
Por edhe sikur të arrihet qëllimi themelor i Luftës Çlirimtare, ai i vetëvendosjes së Kosovës në saje të influencës së ndonjërit nga faktorët e jashtëm të fuqishëm e të cilit Kosova ta zëmë se për një kohë do ti duhej si një pikë gjeo-politiko-strategjike për interesat e saj, kjo jo vetëm që praktikisht vështirë mund të ndodhë, por edhe sikur të ndodhë, pasojat e zhvlerësimit të luftës së UÇK-së, edhe në këto rrethana do të ishin të pallogaritshme për kombin shqiptarë. Pasojat e këtilla të zhvlerësimit, në kuptimin se „s`ka ç`na duhet UÇK-ja, e edhe ashtu ia kam inati“, do të ishin të shumëfishta, por dy-tre prej tyre si shumë të mundshme për të ndodhur, do ti sillnin kombit shqiptarë dëme të pallogaritshme:
E para, zhvlerësimi i këtillë do të mund të çonte për një kohë në një luftë shumë të rrezikshme vëllavrasëse midis shqiptarësh në Kosovë e më gjerë, me ç`rast edhe liria dhe shteti i fituar kësisoj, jo vetëm që do të zhvlerësoheshin por do të ktheheshin në mallkim, kurse shqiptarët brenda shtetit të Kosovës do të silleshin si shtetshformues;
E dyta, zhvlerësimi i këtillë i UÇK-së, do të krijonte te shqiptarët njëkohësisht edhe mendimin e gabuar (e po aq të rrezikshëm sa edhe lufta vëllavrasëse) sipas të cilit „edhe liria dhe shteti më në fund erdhën vetë“. Kështu duke pasur parasysh se mendimi i këtillë, do të ishte i barabartë me pikën zero të mendimit politik të një kombi, edhe pasojat që do të dilnin prej tij do të ishin marramendëse, sepse në këto rrethana, me shqiptarët të cilët mohojnë edhe gjakun dhe historinë e tyre, duke u sjellë me ta armiqtë e shumtë që kanë si me një të dehur, do të bënte që e tërë bota të luante me ta, kurse Serbia e cila së pakut edhe një shekull pas shkëputjes definitive të Kosovës prej saj, jo vetëm që do të vazhdoj të ketë iluzione për rikthimin e saj, por herë pas herë, duke shfrytëzuar momentin kur interesi gjeo-politiko-strategjik i superfuqisë së imagjinuar të arrijë pikën zero (sepse asnjë interes nuk mbetet i përjetshëm), ajo me të gjitha mjetet do ti përvishej rikthimit të Kosovës brenda saj.
E treta, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së do të ishte një akt i rëndë antihistorik dhe një vetëdënim që një komb i mashtruar për një moment ia shqipton vetës. Siç dihet nga historia, popujt-kombet të cilat për një moment janë sjellë në raport me vetën antihistorikisht, edhe kur kanë pasur shtetin e ka humbur atë, kurse popujt që se kanë shtetin dhe tentojnë ta bëjnë atë, as që kanë shansin ta bëjnë atë.
Për këto arsye, zhvlerësimi i luftës së UÇK-së, siç thamë më lartë, shkon me zhvlerësimin e kërkesës së saj politike për krijimin e shtetit të Kosovës, prandaj jo vetëm për hir të së vërtetës historike, por edhe për hir të shtetkrijimit, ne shqiptarët (ata që e kanë bërë këtë luftë, ata që e kanë ndihmuar e bile edhe ata që e kanë penguar atë), duhet ta theksojnë rolin historik të UÇK-së, si dhe ta mbrojmë me krenari e dinjitet Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe bartësen e saj legjitime UÇK-në, nga kushdo që nga padija ose nga armiqësia vë dorë mbi të.
Kështu memorimi objektiv i Luftës Çlirimtare në formë librash me karakter historiografik e analitik nga autor të huaj (mbi tridhjetë tituj në gjuhën gjermane e po aq në atë angleze) ka ndodhur. Në njëfarë mase memorimi i tillë historiko-politik i Luftës Çlirimtare edhe nga autor shqiptarë ka ndodhur por jo mjaft sa do të duhej e si do të duhej. Ajo që do të duhej të cekej me forcë dhe që qëndron historikisht kur shkruajmë e flasim për UÇK-në, do të ishte sqarimi i karakterit të pastër nacional-çlirimtar të saj, në mënyrë që mos të lejohet që, inatqorët, antikombëtarët e antishqiptarët e kallëpeve të ndryshëm, karakterin kombëtar e çlirimtar të UÇK-së ta falsifikojnë duke e ndryshuar nga kombëtar në ideologjik, sepse jemi dëshmitar të përpjekjeve të këtilla.
Ajo që duhet bërë dhe që do ti ndalte manipulatorët, do të ishte dalja në dritë sa më shpejtë e “Historisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe bartëses së saj legjitime Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, sepse edhe tendencat për ta paraqitur UÇK-në më shumë si një gjurulldi se sa si luftë, si dhe përpjekja tjetër e zhvendosjes së legjitimitetit të luftës nga UÇK-ja në institucione paralele de facto inekzistente, po ashtu janë evidente.
Botimi i blejve me dokumente të periudhës së luftës, deklarata, komunikata e të tjera, të bëra nga Drejtoria Politike e UÇK-së, Komandantët e zonave, fytyrat politike shqiptare do të ishte me rëndësi të madhe në funksion të ruajtës së historisë së UÇK-së.