Presidenti Thaçi në ceremoninë qendrore për transformimin e FSK-së, i ka uruar ushtrinë çdo pjesëtari të FSK-së, çdo qytetari të Kosovës, derisa ka shprehur nderimet më të thella për çdo dëshmor që ka dhënë jetën që ne të gëzojmë edhe këtë ditë.
“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh.Morëm një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë pasi ushtria është shtyllë e shtetit. Kjo është meritë, para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK-së, e punës së tyre, e profesionalizmit të vet. Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara në zgjerimin e mandatit të FSK-së, që të bëhet ushtri e vërtetë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit, njëherësh Komandant Suprem, ka thënë se FSK-ja sot nuk është vetëm ushtri, por ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm në Kosovë.
Presidenti ka kërkuar që të ruhet uniteti politik i treguar për Ushtrinë e Kosovës.
“Sot të gjitha partitë politike të Kosovës, pa dallim, treguan se kur është në pyetje interesi i Kosovës, e mira e përbashkët e jona, e gjeneratave që do të vijnë, i tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe votojnë për Kosovën. Kërkoj që këtë unitet të treguar sot, ta ruajmë edhe për proceset tjera të rëndësishme që na presin”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të guximshme për Kosovën, për të ardhmen tonë.
“Sot i falënderojmë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë.Ata i sigurojmë se Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike, që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje a etnie. Dhe do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë,por edhe në rajonin tonë e më gjerë”, u shpreh Thaçi.
Thaçi theksoi se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë.
Presidenti ka thënë se sot shikon drejtë çdo ushtari të FSK-së, pa dallim përkatësie etnike e pa dallim gjinie, duke ditur se ata kanë në zemër Kosovën dhe të mirën tonë dhe të fëmijëve tanë.
“I shikoj, si çdo qytetar i Kosovës, me respekt, me nderim e me krenari. Dhe ju kërkoj që t’i shërbejnë me nder e me përgjegjësi Kosovës sonë, që me aq mund e kemi ndërtuar. Urime ushtarë detyrat e reja. Gëzuar ushtria, Kosovë”, ka thënë Thaçi.