Ish-kryenegociataorja e dialogut Edita Tahiri ka thënë se është shumë shqetësues fakti që ekipi negociator ka marrë detyrë të zhvillojë bisedime me Serbinë duke mos pasur dijeni të mjaftueshme për Kushtetutën e Kosovës.“Mendoj se është bërë mirë që Gjykata Kushtetuese i shpalli antikushtetues këta njerëz në ekip, sepse do ta kishin marrë në qafë Kosovën.
Dialogu me Serbinë kërkon njerëz të përgatitur jashtëzakonisht mirë”, ka deklaruar ajo për Zërin.Lajmi se ekipi ka marrë kompetenca kundër Kushtetutës sipas Tahirit i vesh imazh tejet negativ Republikës së Kosovës.
“Për njerëzit që kanë qenë në këtë ekip është një turp kjo, që kanë lejuar të propozojnë një projektligj. Kjo faktikisht i ka dhënë një hije jo të mirë Kosovës, sepse ky lajm shkon në gjithë botën, meqë ka qenë fjala për dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel”, ka potencuar ajo.Tash e tutje sipas Tahirit duhet patjetër të bëhet një ekip uniteti, që shpreh një përbërje të gjerë të spektrit politik të Kosovës.
“Mendoj se duhet të ketë një ekip uniteti, kurse sot për sot kompetencat për dialogun e Brukselit i ka Qeveria e Kosovës dhe kryeministri”, ka nënvizuar ish-kryesuesja e negociatave. Pavarësisht kësaj, kryeministri Haradinaj deri më tash nuk ka pohuar se do ta drejtojë procesin e dialogut.Ekipi negociator i bisedimeve me Serbinë arriti ta gëzojë këtë epitet për vetëm gjashtë muaj, pasi ditë më parë u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nga sezoni i dimrit, kur u formua e deri në fillim të verës sa kanë funksionuar, negociatorët kanë arritur t’i zhvillojnë vetëm tri takime, ndërsa i kanë shpenzuar mbi 40 mijë euro nga buxheti i Kosovës.