Gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti shpenzimet për vendime gjyqësore në kategorinë buxhetore të “Investimeve kapitale” janë rritur për 16075% në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Po ashtu shpenzimet prej 1613% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017 janë rritur edhe në kategorinë buxhetore për “Mallra dhe shërbime” e për 939% janë rritur shpenzimet për vendime gjyqësore në kategorinë buxhetore të identifikuar në raportin nëntëmujor të Ministrisë së Financave si “Shpenzime komunale”
Mbi 15.1 milionë euro janë shpenzuar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti vetëm për pagesa të vendimeve gjyqësore për kontestet mes institucioneve dhe kompanive private gjatë realizimit të projekteve të ndryshme kapitale në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave (MF), të shpalosura në raportin nëntëmujor të buxhetit, shihet se për këtë qëllim shpenzimet u rritën për 16075% duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan Zeri
Po ashtu edhe mbi 4.5 milionë tjera janë shpenzuar gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti vetëm për pagesa të vendimeve gjyqësore në kategorinë buxhetore për “Mallra dhe shërbime” e ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje prej hiç më pak se 1613%. Në raportin nëntëmujor të buxhetit thuhet se sivjet për këtë qëllim institucionet shpenzuan për nëntë muaj hiç më pak se 4 milionë e 530 mijë euro, derisa gjatë nëntëmujorit të vitit paraprak u shpenzuan vetëm 260 mijë euro.