Pas shfaqjes së rasteve të para me infeksionin COVID-19 në fshatin Zaplluxhe dhe Pllavë , kryetari i komunës, Shaban Shabani ka thirrur mbledhjen e Shtabit Emergjent dhe Qendrën Operative Emergjente, ku kanë diskutuar lidhur me masat e nevojshme që duhet të merren.
Në këtë mbledhje është marrë vendim që:
1.familjet e prekura nga Covid-19 në fshatin Zaplluxhe dhe fshatin Pllavë të vetizolohen sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike.
2. Shërbimi i palëve nëpër institucione të mos bëhet pa mjete mbrojtëse si maska dhe doreza.
3. Ndalohet çfarëdo shitje dhe shërbimi nga operatorët ekonomik konsumatorëve pa doreza dhe maska.
4.Të bëhet dezinfektimi i lokaleve.
5. Furrat të bëjnë ndarjen e shërbimit të klientëve me pagesat, (punëtoret të cilët shërbejnë bukë, pitajka dhe artikuj tjerë të mos bëjnë edhe pagesa).
6. Në asnjë hapësirë të shitjes të mos ketë më shumë se një person, ndërsa tek operatorët me hapësirë më të madhe të vendosen shirita njoftues ku duhet të qëndrojnë klientët.
7. Kërkohet nga të gjithë operatorët e lejuar sipas kodeve NACE nga MEPTINIS që më shumë të orientohen në shitje me porosi.
8. Obligohen bankat, qendra e punësimit, posta e Kosovës dhe të gjitha shërbimet e tjera private dhe shtetërore të organizojnë mbarëvajtjen e zbatimit të distancës sociale.
9. Të ndalohet shitja dhe shërbimi për fëmijët.
10. Të gjithë operatorët që zhvillojnë aktivitetin në territorin e komunës tonë obligohen të vendosin shenja paralajmëruese të mbajtjes së distancës dhe të zbatojnë në përpikmëri pikat e lartë shënuara në të kundërtën do t’u ndalohet puna përkohësisht deri në kalimin e gjendjes emergjente.
1.1 Aplikimi për leje të qarkullimit brenda dhe jashtë territorit të Dragashit bëhet vetëm në mënyrë online.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për familjet e prekura dhe në bashkëpunim edhe me IKPSH-në janë duke bërë identifikimin e personave kontakt me të infektuarit me COVID-19.
Kryetari i komunës në Dragash, Shaban Shabani edhe një herë iu bën apel të gjithë qytetarëve të komunës:
Të dashur qytetarë,
Dje kemi pasur rastet e para me virusin COVID-19 në komunën e Dragashit, respektivisht me vendbanim në Zaplluxhe dhe Pllavë .
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.
Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.
I ftoj të gjithë kontaktet e personave që të vetizolohen për dy javë dhe nëse kanë simptome të telefonojnë në numrin: .
Të ndihmojmë stafin mjekësor profesional që të bëjnë punën e tyre duke respektuar masat.
Mbetshi me shëndet!
Bashkë do t’ia dalim!