BANORËT PO LARGOHEN E UJQËRIT PO SHTOHEN NË FSHATIN E LARGËT TË OPOJËS.

Në një fushëgropë në Opojë gjendet fshati Zaplluxhe. Dimrat zgjasin më shumë në fshatrat e kësaj ane dhe bora ka hijeshinë e vet.

Dikur në këtë fshat tymonin oxhaqe të shumta, por tash ato janë reduktuar në masë të madhe, për shkak të largimit të banorëve nga ky fshat. Duke folur për etimologjinë e prejardhjes së emrit të fshatit Zaplluxhe, profesor Nevzat Nuhiu thekson se supozohet se ky emër ka ardhur nga emri zaptim- lugjesh.

Dhe për shkak të rrethanave pastaj është emërtuar Zaplluxhe, që do të thotë se këta banorë zaptuan lugjet që për kohën e mëhershme ishin të nevojshme për të mbajtur e për të rritur bagëti, tani fshati ka rreth 1 mijë krerë delesh, kurse dikur kishte disa mijëra sosh. Ka rreth 300 krerë bagëti të trasha, lopë, dhe ajo që tashmë është brengosës për këtë fshat, është kurbeti.

Dikur fshati Zaplluxhe ishte njëri nga fshatrat që kishte tradita të shumta dhe ruan me fanatizëm, sidomos ritet e vdekjes dhe të dasmave. “Por, tani rrethanat kanë bërë që ato të reduktohen shumë e ajo që i dhemb secilit banor të këtij fshati, e veçanërisht profesor Nevzat Nuhiut, është shuarja e këtyre traditave.

Ujqit janë shumuar shumë këtyre anëve

Nuhiu tregon se tashmë janë mbi 30 për qind e shtëpive nën dry, kurse mbi 40 për qind e banorëve të këtij fshati punojnë jashtë Kosovës, nga 1100 banorë sa ka fshati. Bjeshka e Zaplluxhes tanimë ka filluar të ketë një fluks të kafshëve të egra.

T’i shohësh ujqit është vërtet një sfidë dhe rrëqethje. Thonë se ujqit janë shumuar shumë këtyre anëve. Ngazëllim fantastik t’i shohësh dhe t’i filmosh në kope ujqish, shpjegojnë djem të këtij fshati. Duke u ngjitur për në Limth, në kodrinat e Ligatës, afër Hotel “Opoja”, në një ditë dimri mund të shohësh një tufë ujqish, të cilët kalonin herë në njërën anë të rrugës e herë në tjetrën. Banorë të këtij fshati thonë për “Kosova Sot” se për ruajtjen e shumë kafshëve të egra domosdo se duhet të lavdërohet OJQ-ja “Finch”, e cila ekskluzivisht merret me kujdesin për të ruajtur shëndetin e kafshëve të egra.

Traditat e vjetra po reduktohen

Profesor Nexhat Nuhiu tregon se brenga e Zaplluxhes tashmë është fakti se ky fshat ka rreth 270 shtëpi, e nga këto 30 për qind gjenden në dry. Ai tregon se fshati ka një shkollë të ulët fillore nga klasa e parë deri të pestën dhe ka gjithsej 110 nxënës.

Kurse nga klasa e pestë deri në të nëntën pastaj vazhdojnë mësimin për në shkollën e fshatit Blaç. Traditat e fshatit Zaplluxhe në Opojë janë të njohura. Si festë e Opojës, por edhe e Zaplluxhes është festa e Verzës, që është festuar që nga lashtësia, por edhe pse në një masë të madhe ka filluar të reduktohet kremtimi i ritit, në shumicën e fshatrave tradita vazhdon. Si e kremte zgjat dy ditë (nata dhe dita e festës).

Në lashtësi banorët besonin se largimi i stinës së dimrit bëhej me ngjizjen që bënin hyjnitë e maleve dhe që sjellin pranverën. Dhe kjo ditë është simbolika e këtij besimi. Dita e Verës (Dita e Verzës) është një festë që ngjall ndjenja gëzimi e kënaqësie në çdo familje dhe që shton frymëzimin jetësor se tashmë stina e ftohtë e dimrit ka përfunduar, dhe po fillon pranvera. Për këtë Ditë të Verës bëhen dhe disa rituale pagane.