Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar se në votimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia përdori një mënyrë specifike të lobimit.
Sipas Pacollit, ka pasur vajza te bukura serbe që u janë afruar diplomatëve me zarfe.
Pacolli gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme ka kërkuar nga anëtarët që tema për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL të jetë e mbyllur për media.
Mirëpo, me kërkesë të disa deputetëve u vendos që ministri të flas përgjithësisht për Interpol-in, duke pasur mundësi që për disa çështje të mos jap informacione.
Është bërë punë e madhe për Interpol, por unë asnjëherë nuk kam thënë se ne do të jemi anëtarë të Interpol”, kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se: “Deklarata ime e rimodeluar ka qenë që Kosova e meriton anëtarësimin në këtë organizatë. Kosova ka punuar shumë, dhe këtu është mbyllur çdo gjë. Nuk kam premtuar sepse nuk kam pasur fakte. Nuk e ndjej veten të pafajshëm, por ju garantoj që çdo gjë që ka qenë për t`u bërë, e kemi bërë”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka thënë se e ka pasur një ndjenjë se diçka mundet të çalojë.