Izolimi gjeografik i Dragashit si dhe largësia e madhe nga kryeqyteti, mund të konsiderohen ndër faktorët që kanë rezultuar në moszhvillimin e duhur të kësaj komune. Edhe pse papunësia është problem i përgjithshëm i Kosovës, në këtë komunë ky problem po manifestohet me shpërngulje të popullatës.
Mos zhvillimi ekonomik i kësaj komune ka rezultuar në migrimin e vazhdueshëm të popullatës. Edhe pse qytetarët e komunës së Dragashit njihen për familje të shumta që jetojnë jashtë vendit, pas luftës migrimi i individëve dhe në shumë raste edhe i familjeve të tëra është shpeshtuar. Kjo dukuri është edhe më serioze në mesin e komunitetit goran të kësaj komune. Sa për ilustrim po përmendim faktin se vetëm nga fshati Lubovisht janë shpërngul 10 familje kohët e fundit. Një gjë e tillë ka ndodh edhe me disa familje nga fshati Krushë si dhe nga fshati Vranisht. Megjithatë, mërgata mbetet njëri nga burimet e vetme financiare për shume familje të Dragashit.
Thuhet se 40 për qind e popullatës jetojnë nga të afërmit e tyre që gjenden me punë jashtë vendit. Por kjo nuk justifikon trendin në rritje të migrimit, i cili vjen si pasoj e mungesës së politikave për parandalimin e migrimit. Një problem tjetër i lidhur me migrimin është edhe projekti i paraparë për ndërtimin e Hidrocentralit Zhuri, i cili parasheh zhvendosjen e disa shtëpive të fshatit Çellopek dhe një pjese të fshatit Brezne.
Qytetarët e këtyre fshatrave deri më tani nuk kanë marrë ndonjë informatë se ku do të zhvendosën, si do të bëhet kompensimi i pronave të tyre, etj.