Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Shtabit Emergjent ku janë diskutuar tema lidhur me situatën aktuale pas paraqitjes së rastit të ri me COVID-19 në komunën e Dragashit.
Mbledhjen e ka kryesuar kryetari i komunës, Shaban Shabani, dhe të pranishëm ishin të gjithë anëtarët e shtabit emergjent.
Në këtë takim u njoftua se janë marrë të gjitha masat adekuate duke filluar nga vetizolimi i personit të prekur me COVID-19 dhe rasteve të kontaktit dhe stafit të QMF – Krushevë , gjithashtu është bërë dezinfektimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Krushevë dhe nesër fillon punën normalisht kjo qendër me staf të ri të dërguar atje.
Gjatë ditëve në vijim do të bëhet edhe testimi i rasteve të kontaktit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, bëjmë apel te punëtorët shëndetësor t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.