Përmes një njoftimi, Drejtoria Komunale e Arsimit në Dragash shpall Konkurs për ndarjen e bursave për nxënësit e Komunës së Dragashit, Televizioni Opoja ju sjell detaisht kushtet dhe informacionet tjera rreth keti konkursi.

KONKURS
PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT E KOMUNËS SË DRAGASHIT
1. Komuna e Dragashit ndan bursa me vlerë prej 350 euro për studentët të cilët studiojnë në universitetet publike për vitin akademik 2023/2024. Së paku 10% të këtyre bursave iu takon studentëve të komuniteteve joshumicë të Komunës së Dragashit.

II. Të drejtë aplikimi kanë vetëm studentët e rregullt të universiteteve publike të Republikës së Kosovës që janë banorë të Komunës së Dragashit së paku dhjetë (10) vite, pa kurrfarë dallimesh etnike, gjinore, racore, fetare dhe politike, duke përjashtuar studentët në studime pasuniversitare – master dhe doktoraturë. Studentët të cilët në vitin akademik 2022/23 kanë pasur statusin e studentit me korrespondencë, nuk kanë të drejtë aplikimi për bursë universitare për vitin akademik 2023/24.

III. Kushtet e përgjithshme:
1. Bursat komunale ndahen për studentët nga Komuna e Dragashit, të cilët janë studentë të rregullt të nivelit të studimeve themelore (baçelor) në universitetet publike në Kosovë:
2. Të kenë të regjistruar vitin akademik për të cilin jepet bursa:
3. Të mos jenë përfitues të bursës nga universiteti ku studiojnë apo Ministria e Arsimit dhe të mos jenë të punësuar,
4. Të mos jenë përsëritës të vitit akademik.

IV. Kushtet e veçanta:
1. Nota mesatare prej 9-10 në fakultet (25 pikë): 2. Nota mesatare prej 8-9 në fakultet (20 pikë); 3. Nota mesatare prej 7-8 në fakultet (15 pikë):
4. Nota mesatare prej 6-7 në fakultet (5 pikë);
5. Studentët me asistencë sociale vlerësohen me 20 pikë;
6. Studentët që studiojnë në lëndët deficitare vlerësohen me 15 pikë:
7. Ai/ajo që studion së bashku me një anëtar tjetër nga e njëjta familje vlerësohet me 10 pikë (anëtari i familjes duhet të jetë student/e i/e universiteteve publike);
8. Ai/ajo që nuk i ka prindërit në jetë vlerësohet me 10 pikë;
9. Studentët me nevoja të veçanta vlerësohen me 10 pikë.
Vëmendje: Kriteret e veçanta sipas pikës (7) vlerësohen vetëm për një student të asaj familje dhe vetëm nëse dëshmon me dokumentacion zyrtar se të gjithë studentët e asaj familje i plotësojnë kriteret e përgjithshme. Në kushtet dhe kriteret e njëjta të përcaktuara më sipër, do t’u jepet përparësi studentëve të familjeve të dëshmorëve, të viktimave civile të luftës, të veteranëve, të invalidëve të luftës dhe gjinisë femërore!

V. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:
Studentët të cilët i plotësojnë kushtet nga pika tre (III) e këtij konkursi duhet t’i paraqesin këto dokumente:
1. Aplikacionin sipas formës së Komunës (kërkesën për aplikim dhe fletëparaqitjen);
2. Kopjen e ID-së së studentit;
3. Vërtetimin se studenti ka të regjistruar vitin akademik 2023/2024 (origjinal);
4. Certifikatën e notave (origjinale);
5. Vërtetimin se studenti nuk është përfitues i bursës nga universiteti ku studion apo Ministria e Arsimit (origjinal);
6. Deklaratën e bashkësisë familjare:
7. (Certifikatën) Ekstraktin e lindjes;
8. Certifikatën për përfundimin e shkollës fillore (kopje). Për çdo aplikacion me mungesë të këtij dokumenti do të konsiderohet se aplikuesi nuk është banor i Komunës së Dragashit me tepër se 10 vite;
9. Vërtetimin nga Administrata Tatimore që nuk jeni në marrëdhënie pune;
10. Për anëtarin e ngushtë të familjes së dëshmorëve dhe martirëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës:
(Vendimi/Vërtetimi se është anëtar i ngushtë i familjes së dëshmorëve, invalidëve të luftës apo veteranëve);
11. Për anëtarin e ngushtë të familjes me asistencë sociale:
(Vendimi/Vërtetimi që dëshmon se aktualisht është shfrytëzues i ndihmës sociale (origjinal);
12. Për studentët me nevoja të veçanta:
(Vendimi/Vërtetimi zyrtar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale)
13. Për studentët pa prindër:
(Certifikata e vdekjes së prindit)
Vërejtje: Dokumentet e pakompletuara dhe ato të dorëzuara pas afatit zyrtar nuk do të shqyrtohen!

VI. Komisioni vlerësues
Për përzgjedhjen e përfituesve të bursës komunale. Drejtoria e Arsimit në Dragash formon Komisionin për shqyrtimin e kërkesave për ndarjen e bursave dhe, pas mbylljes së afatit të konkursit, ky Komision e kryen procesin e shqyrtimit të kërkesave dhe e harton raportin e punës, të cilin me rekomandime përkatëse ia përcjell kryetarit të Komunës për miratimin e vendimeve për ndarjen e bursave. Kandidatëve të cilëve u ndahet bursa, për kushtet e shfrytëzimit do të nënshkruajnë kontratë të veçantë, ku do të precizohen kushtet, obligimet dhe detyrat e dyanshme.

VII. Afati dhe mënyra e aplikimit
1. Konkursi i bursave mbetet i hapur 15 ditë nga data e publikimit me dt. 12.10.2023 deri më 26.10.2023.
2. Formulari i aplikimit për bursa merret në zyrat e DKA-së, në objektin e DKRS-së në Dragash, nga ora 10:00-15:00.
3. Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve bëhet në zyrat e DKA-së, në objektin e DKRS-së në Dragash, nga ora 10:00-15:00.

VIII. Afati i ankesave
Studentët të cilët konsiderojnë se kanë pasur të drejtë përfitimi të bursës komunale dhe nuk janë përfshirë në listën e studentëve përfitues të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 48 orësh pas ditës së publikimit të listave.
Ankesat duhet të dorëzohen në zyrat e DKA-së, në ndërtesën e DKRS-së në Dragash. Vendimi do të publikohet në tabelat e shpalljeve të DKA-së dhe në uebfaqen e Komunës së Dragashit.

©TVOPOJA