Një ngatërresë mes tre personave që ndodhi sonte në rrugën “Muharrem Hoxhaj”, në Prizren, eskaloi në përdorim të thikës, ku si pasojë lëndime pësoi një 48-vjeçar. Sinjali mëson se të dyshuarit për këtë përleshje tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Kush janë të dyshuarit dhe si ndodhi rasti?
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se personat që u arrestuan si të dyshuar për këtë rast janë Agron Shala, 53-vjeçar dhe Ridvan Badallaj, 58-vjeçar.
Ata po dyshohen se fillimisht e kanë sulmuar fizikisht viktimën dhe më pas gjatë konfrontimit, i dyshuari Badallaj e ka nxjerrë një thikë, me të cilën e godet dhe i shkakton lëndime të rënda viktimës.
Për pasojë, 48-vjeçari i lënduar është dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe sipas burimeve nga Emergjenca, i njëjti është në rrezik për jetën.
Ndërkohë, Sinjali mëson se Policia ka siguruar vendin e ngjarjes, ku është gjetur thika dhe një mjet i fortë, që u sekuestruan si prova materiale.
Ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/