Shkruar nga Muharrem Qafleshi
Ishte fillimi i vitit shkollor 1994/5 kur e fillova punën si profesor i historisë dhe gjuhës latine në shtëpinë shkollë të Haxhi Mehmedit, në Gjimnazin “ Emin Duraku “ aso kohe, sot “ Ruzhdi Berisha “, të njërit prej figurave simbol të rezistencës kosovare kundër regjimit të egër millosheviqian, të ekzekutuar barbarisht nga paramilitarët serb. Në shkollë punohej në rrethana të jashtëzakonshme por ama punohej me seriozitet dhe pa ia pasur frikën okupatorit serb. Mua si mësimdhënës i ri ma tërhoqën vëmendjen tre profesor të pandashëm që punonin natë e ditë duke mbajtur orët mësimore, administratën dhe gjithë organizimin e kësaj shkolle të vetme të mesme të komunës së Dragashit, profesor Rahmi Shaqiri (tani i ndjerë, zoti e shpërbleftë me xhenet), Hajri Ramadani, profesor i kimisë dhe Bashkim Muharremi (tani i ndjerë, zoti e shpërbleftë me xhenet), të cilët populli i thërriste si treshi i arsimit opojan ngase ishin të pandashëm në shkollë dhe në jetën e përditshme. Ata përpos punës intelektuale e patriotike kishin edhe kohë të mjaftueshme edhe të bisedonin me kolegë, shkëmbenin batuta, qeshnin dhe krijonin një atmosferë të këndshme në kolektiv.
Por unë do të përmend edhe mësimdhënësit e tjerë që në ato kushte dhe rrethana dhanë një kontribut të çmuar: Ruzhdi Berisha tani dëshmor i kombit, Nysret Skeraj atë kohë kryetar i LASH-it, Fejzullah Trëshnjaku drejtor i shkollës që e udhëhoqi me shumë sukses këtë shkollë për tri dekada, Sadik Kryeziu, Nevzat Nuhiu, Nazim Osmani, Neshat Cena, Xhevdet Ibrahimi, Nehat Qafleshi, Zeni Krasniqi, Hajriz Meleqi, Ismet Lecaj, Vedat Shaqiri, Shehadin Trëshnjaku, Esat Krasniqi, Hashim Jakupi, Asllan Nebiu, Fikri Misini, Gazi Hulaj, Rami Tefiku, Bajram Berisha, Mitat Bojaxhiu, Blerim Piraj, Muharrem Sejrani, Halim Shemsidini, Ismail Ahmeti dhe Naser Meleqi (do të më falin nëse dike e kamë harruar pa e përmendur).
Dy fjalë për Fejzullah Trëshnjakun, ai ishte drejtori i Gjimnazit, kishte lënë padyshim emrin e tij të mirë në punët e shkollës si drejtor i saj. Në biseda të ndryshme më pas, unë vazhdoja të dëgjoja fjalët e mira dhe respektin që shprehnin jo vetëm kolegët që kishin punuar me të, por dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët vlerësonin Fejzullahun jo vetëm personalitetin e tij, por edhe Drejtorin e fëmijëve të tyre. Më patën mbetur në mendje fjalët që thoni për të si, mësimdhënës dhe drejtues i zoti, njeri i ndershëm, i dhembshur e i gjindshëm, korrekt e serioz, si njeri që nuk ishte hakmarrës e që dinte të falte, tolerant siç themi tani e që respektonte mendimin e të tjerëve. Me drejtor Fejzën do më lidhte puna më pas. Gjithmonë e kujtoj si njeriun e veçantë që ofronte shoqëri, marrëdhënie të sinqerta, ndihmesë pa fund dhe si një pedagog me një sens të gjallë humori. Marrëdhënia jonë asnjëherë nuk u ndërpre, ajo mbeti si gjithnjë shoqërore edhe sot kësaj dite, pa interesa, me respekt reciprok ndërmjet nesh, pse jo dhe me ndihmesa të ndërsjella sipas problemeve që hasnim. Unë e kujtoj gjithmonë si një drejtues të respektuar në arsim pasi dallonte nga të tjerët. Drejtor Fejza dallonte nga profili e tij jo vetëm profesional, por edhe ai intelektual në përgjithësi, natyra tejet e spikatur shoqërore, nga sensi i theksuar miqësor, gjithmonë i papërtuar dhe i gjindshëm, autoritar dhe njëherësh shumë i thjeshtë etj.
Po ai që me la përshtypje me natyrën e vet tejet shoqërore, buzagaz si gjithmonë, me dashamirësi pse jo dhe me respekt, ishte profesori i kimisë Hajri Ramadani, me të cilin kaluam shumë çaste të këndshme bashkë, kuptohet edhe me profesorin Rami e Bashkim. Bisedat ishin interesante, për punën, shoqërore, familjare etj. Hajriu ishte një bashkëbisedues i këndshëm, fjalëmbël dhe imponues me trajtimin që i bënte problemeve pasi gjithmonë sikur e kishte një përgjigje gati. Gjithmonë me laps në dorë dhe shënonte pa përtesë çdo imtësi të problemeve shkollore. Për mua siç do ta them edhe më poshtë, Hajriu pa xhelozi do të mbetet mësimdhënësi më i madh i të gjithë kohërave.
Mua gjatë tërë kohës që bisedonim më bënte përshtypje niveli dhe thellësia e njohurive si dhe lirshmëria me të cilën ai i trajtonte problemet, faktet, ngjarjet etj.
Hajri Ramadani lindi në fshatin Bresanë, shkollën fillore, atë të mesme dhe universitetin do ta përfundon me sukses shembullor, është dalluar si një nga nxënësit dhe studentët më të mirë. Vetëm nota maksimale, mund të shikoje në dëftesat dhe indeksin e tij. Ai kujton se atë kohë, jo vetëm mësimi që zhvillohej ishte në nivel të lartë, por edhe përdorimi i një baze didaktike të shumëllojshme, krijonin atëherë premisa e mundësi që, jo vetëm interesimi për dije të ishte i lartë, por dhe lëndët të përvetësoheshin e që nxënësit e studentet të përparonin.
Por padyshim edhe vatra familjare dhe tradita e saj, do të luante rol të veçantë në formimin e tij. Historia, ngjarjet e zhvilluara, të cilat tregoheshin vazhdimisht në mjediset familjare, në dhomat e miqve, me miq të shumtë, do të ishin si për të gjithë edhe për Hajriun, jo vetëm ushqimi shpirtëror, por edhe baza e edukimit, themeli mbi të cilin do të formohej karakteri dhe personaliteti i tij që në moshën e rinisë e më pas në jetë, si mësimdhënës i adhuruar nga nxënësit, ngase ai edhe jashtë orarit shkollor punonte me nxënës, i përgatiste për fakultet dhe të gjitha nxënësit që i përgatiste profesori Hajri pa problemin më të vogël u regjistroheshin nëpër fakultete e sidomos me atë të mjekësisë.