Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar sot se ministri në Detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkeli Kushtetutën e Kosovës, duke e futur Prizrenin në karantinë, për shkak të koronavirusit.

Aktgjykimi i plotë:

2. Aktgjykim Lënda: KO 61/20 Parashtrues: Uran Ismaili dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së katër (4) vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht të:

(1) Vendimit [nr. 214/IV/2020], i datës 12 prill 2020 – për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”;

(2) Vendimit [nr. 229/IV/2020], i datës 14 prill 2020 – “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunës së Prizrenit”;

(3) Vendimit [nr. 238/IV/2020], i datës 14 prill 2020 – “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunës së Dragashit”;

(4) Vendimit [nr. 239/IV/2020], i datës 14 prill 2020 – “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunës së Istogut”; Parashtruesit e kërkesës pretendonin se vendimet e lartëpërmendura nuk janë në pajtueshmëri me nenet 35 [Liria e lëvizjes] dhe 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretendonin se vendimet janë në kundërshtim edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO54/20 (Parashtrues i kërkesës: Presidenti i Republikës së Kosovës; Objekti i çështjes: “Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit së Vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës”), i publikuar më 6 prill 2020 dhe gjithashtu kërkuan që Gjykata të vendosë si masë të përkohshme pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të vendimeve të kontestuara deri në zgjidhjen meritore të rastit. Kërkesa bazohej në nën-paragrafin (1) të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe në paragrafin 2 të nenit 116 [Efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32, 56, dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese. Përfundime

1. Më 31 mars 2020, Gjykata vendosi për rastin KO54/20 përmes të cilit Aktgjykim, e shpalli të pavlefshëm Vendimin nr. 01/15 të Qeverisë, duke konstatuar se i njëjti ishte në kundërshtim me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe nenet ekuivalente të KEDNJ-së, respektivisht nenet 8 (E drejta për respektim të jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe e organizimit), dhe 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr.4 të KEDNJ-së.

2. Në Aktgjykimin e lartcekur, Gjykata kishte theksuar se (i) Qeveria vetëm mund të zbatoj një ligj të Kuvendit që kufizon një të drejtë dhe liri themelore dhe atë vetëm deri në masën specifike që e ka autorizuar Kuvendi përmes ligjit përkatës; dhe se (ii) Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Qeveria, është e autorizuar që të nxjerr vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë, vetëm për aq sa është e autorizuar përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ligjit nr. 04/L-125 për Shëndetësi. Gjykata gjithashtu kishte theksuar se këto dy ligje, nuk e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë, respektivisht Qeverinë, që të kufizojë të drejta dhe liri të garantuara me Kushtetutë në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim.

3. Pas Aktgjykimit KO54/20, më 14 prill 2020, përmes tridhjetë e tetë (38) vendimeve për “parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19”, Ministria e Shëndetësisë vendosi kufizime në të gjitha Komunat e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjykata në rastin e tanishëm, KO61/20, nuk është duke e bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë të të gjitha tridhjetë e tetë (38) Vendimeve të lartcekura, sepse parashtruesit e kërkesës nuk i kanë kontestuar të gjitha.

4. Para Gjykatës, janë kontestuar vetëm tri (3) prej tyre, Vendimet [nr. 229/IV/2020]; [nr. 238/IV/2020]; dhe [nr. 239/IV/2020] e datës 14 prill 2020, për Komunat e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, respektivisht. Para Gjykatës, gjithashtu është kontestuar edhe Vendimi

[nr. 214/IV/2020]

i 12 prillit 2020 i Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”.

5. Si rrjedhojë, çështja kushtetuese që ngërthen Aktgjykimi KO61/20, është përputhshmëria me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës të katër (4) Vendimeve të kontestuara të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjykata, në vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre, bazuar në nenin 55 të Kushtetutës, praktikën gjyqësore të Gjykatës, përfshirë Aktgjykimin KO54/20, dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së lidhur me nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së, ka vlerësuar nëse “ndërhyrjet”, përkatësisht kufizimet në lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, respektivisht: (i) janë të “përcaktuara në ligj”, përkatësisht në Ligjin nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse; (ii) ndjekin një “qëllim legjitim”; dhe (iii) janë të “domosdoshme në një shoqëri demokratike”.

6. Bazuar në shqyrtimet dhe vlerësimet e shkresave të dorëzuara para Gjykatës dhe praktikës së saj gjyqësore, Gjykata, njëzëri, vendosi ta shpallë kërkesën KO61/20 të pranueshme për shqyrtim në merita meqë, ishin plotësuar të gjitha kushtet e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës.

7. Gjykata gjithashtu vendosi që Vendimet “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, respektivisht, janë në përputhshmëri me Kushtetutën, me përjashtim të pikave përkatëse të dispozitivit të cilat përcaktojnë kundërvajtjet administrative, ndërsa Vendimin për shpalljen “zonë karantinë” në Komunën e Prizrenit, e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën.

8. Më saktësisht, Gjykata, njëzëri, vendosi se: (i) Vendimi [nr. 229/IV/2020] i 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit (pikat I, II, III, IV, VI, VII dhe VIII); dhe (ii) Vendimet [nr.238/IV/2020] dhe [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunat e Dragashit dhe Istogut (pikat I, II, III, V, VI dhe VII), respektivisht, janë në përputhshmëri me nenin 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, të gjitha pikat e saktësuara të Vendimeve të lartcekura, Gjykata i shpalli kushtetuese.

9. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e Vendimeve të lartcekura, Ministria e Shëndetësisë, ka vepruar në përputhje me autorizimet e përcaktuara përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse,

dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, përmes pikave të lartcekura, ishin “të përcaktuara në ligj”. Gjykata gjithashtu konstatoi se të njëjtat ndjekin një “qëllim legjitim”, përkatësisht atë të mbrojtës së “shëndetit publik”, siç është përcaktuar në paragrafin 3 të nenit 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së; janë proporcionale në raport me “qëllimin legjitim” të ndjekur; dhe janë “të domosdoshme në një shoqëri demokratike”.

10. Megjithatë, Gjykata, me shumicë votash, vendosi se: (i) pika V e Vendimit [nr. 229/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” për Komunën e Prizrenit; dhe (ii) pika IV e Vendimeve [nr. 238/IV/2020] dhe [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunat e Dragashit dhe Istogut, respektivisht, ku përcaktohen kundërvajtjet administrative dhe sanksionet përkatëse, nuk janë në përputhshmëri me nenin 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata arsyetoi se në përcaktimin e mosrespektimit të masave të parashikuara përmes Vendimeve të lartcekura si “kundërvajtje administrative”, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar autorizimet ligjore të përcaktuara përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse. Gjykata theksoi se bazuar në Ligjin nr. 05/L-087 për Kundërvajtje, kundërvajtjet dhe sanksionet përkatëse, mund të përcaktohen vetëm me ligj të Kuvendit të Republikës ose me akte të Kuvendit të një Komune, dhe se ky autorizim nuk mund të bartet në organe të tjera. Rrjedhimisht, kundërvajtjet administrative të përcaktuara përmes këtyre tri Vendimeve të kontestuara, nuk janë “të përcaktuara në ligj” dhe për pasojë, u shpallën jokushtetuese.

11. Gjykata, në anën tjetër, me shumicë votash, vendosi se Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë “të përcaktuara në ligj”. Gjykata qartësoi se “karantina” sipas Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, mund të urdhërohet nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit të IKSHPK-së, vetëm për persona fizikë për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me personat e sëmurë apo të dyshuar për sëmundje ngjitëse. Rrjedhimisht, Vendimi për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, u shpall jokushtetues.

12. Për sa i takon kërkesës për masë të përkohshme, Gjykata konstatoi se pas vendimit të gjyqtarëve që të vendosin në tërësi për meritat e rastit dhe të nxjerrin këtë Aktgjykim, e njëjta ngeli e pa objekt shqyrtimi.

13. Gjykata gjithashtu rikujtoi që përmes Aktgjykimit KO54/20, kishte përcaktuar një datë tjetër të hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj, respektivisht datën 13 prill 2020, duke theksuar se deri në këtë datë, institucionet relevante të Republikës së Kosovës, në radhë të parë Kuvendi, duhet të ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, të bëhen në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO54/20.

14. Gjykata vë theks në faktin që përkundër kërkesës specifike drejtuar Kuvendit për të njoftuar Gjykatën “lidhur me të gjithë hapat që janë ndërmarrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pas publikimit të Aktgjykimit KO54/20 të 31 marsit 2020”, Gjykata nuk ka pranuar një përgjigje nga Kuvendi. Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht potencon faktin që është detyrim ligjor i të gjitha organeve publike që “të mbështesin punën e Gjykatës Kushtetuese dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Kushtetuese sipas kërkesës së saj”. Për më tepër, Gjykata vë theks në faktin se bazuar në Aktgjykimin KO54/20, Kuvendi është detyruar që, qoftë përmes plotësim-ndryshimit të legjislacionit ekzistues të zbatueshëm ose përmes miratimit të ndonjë ligji të ri, të përcakton mekanizmat dhe autorizimet më të përshtatshme, në mënyrë që autoritetet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, respektivisht Qeverinë, të ndërmarrin masat e duhura dhe të nevojshme për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO54/20. Në këtë kontekst, Gjykata gjithashtu vë theks në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, bazuar në të cilin vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

15. Gjykata, në Aktgjykimin KO61/20, gjithashtu ka adresuar parashtresën e 23 prillit 2020 të Kryeministrit në detyrë drejtuar Gjykatës në emër të Qeverisë, të titulluar “parashtresë në lidhje me mosrespektimin e afatit ligjor dhe Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në rastin nr. KO61/20”, përmes të cilës janë shprehur “shqetësimet” e Qeverisë për ”shkelje të dispozitave esenciale në lidhje me procedurën dhe afatet që duhet ndjekur” nga ana e Gjykatës, duke theksuar gjithashtu që “Qeveria do të shqyrtojë me kujdes shkeljet ligjore të deritanishme dhe varësisht nga kualifikimi juridik i tyre do të ndërmarr veprimet e nevojshme të bazuara në legjislacionin në fuqi.” 16. Gjykata, këtë parashtresë, si dhe të gjitha të tjerat, e ka ndarë me palët e interesuara në këtë rast. E njëjta, do të publikohet në tërësinë e saj bashkë me Aktgjykimin KO61/20, i cili përmban edhe sqarimet e nevojshme përkitazi me këtë parashtresë. Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës. 17. Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës. 18. Gjykata në fund, thekson faktin se pavarësisht situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe e cila ka afektuar mbarë botën, sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës duhet të mbizotërojnë. Këtë e ka theksuar edhe Këshilli i Evropës në Dokumentin Informativ SG/Inf(2020)11 të 7 prillit 2020 për Respektimin e Demokracisë, Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Krizës Sanitare të COVID-19, por edhe Opinionet e Komisionit të Venecias, përfshirë atë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në raste të Emergjencave dhe Listën e Kontrollit të Shtetit të së Drejtës. Të gjitha institucionet e Republikës janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me kompetencat përkatëse kushtetuese dhe ligjore si dhe në përputhje me Aktgjykimet e Gjykatës. PËR KËTO ARSYE Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenet 113.2 (1) dhe 116 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, VENDOS

I. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;

II. TË SHPALLË, njëzëri, që Vendimi

[nr.229/IV/2020]

i 14 prillit 2020 i Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në territorin e Komunës së Prizrenit (pikat I, II, III, IV, VI, VII dhe VIII), është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së;

III. TË SHPALLË, njëzëri, që Vendimet

[nr.238/IV/2020]

dhe [nr. 239/IV/2020] e 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunat e Dragashit dhe Istogut (pikat I, II, III, V, VI dhe VII), respektivisht, janë në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së;

IV. TË SHPALLË, më shumicë votash, që pika V e Vendimit [nr.229/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit, dhe pika IV e Vendimeve [nr. 238/IV/2020] dhe [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunat e Dragashit dhe Istogut, përkitazi me kundërvajtjet administrative, nuk janë në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së;

V. TË SHPALLË, me shumicë votash, që Vendimi

[nr. 214/IV/2020]

i 12 prillit 2020 i Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenin 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së;

VI. TË SHPALLË, të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, pikën V të Vendimit [nr.229/IV/2020] dhe pikën IV të Vendimeve [nr. 238/IV/2020] dhe [nr. 239/IV/2020], të cekura në pikën IV të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

VII. TË SHPALLË, të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin [nr. 214/IV/2020] të cekur në pikën V të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;