Këshillet Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB) janë forume të sigurisë të cilat janë të themeluara në çdo komunë të Republikës së Kosovës, ku natyrisht se edhe në komunën e Dragashit është i formuar një i tillë. Këto këshille udhëhiqen nga kryetari i komunës.
Ky është forum i nivelit më të lartë në krahasim me KLSP-në dhe anëtarë i këtij forumi është komandanti i stacionit policor i cili merr pjesë në takime të rregullta dhe raporton rreth situatës së sigurisë në Dragash si dhe informatat rreth problemeve dhe çështjeve të sigurisë të cilat i mbledh nga takimi i adreson tutje.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Dragash ka mbajtur mbledhjen e parë të këtij viti. Të pranishëm në këtë takimi ishin kryetari i komunës-Shaban Shabani, drejtori i Drejtorisë për Arsim-Vloran Cenaj, komandanti i stacionit të policisë-Shaqir Uka, përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe të komuniteteve që jetojnë në Komunën e Dragashit.
Gjatë këtij takimi në veçanti është biseduar rreth gjendjes së sigurisë në këtë komunë e cila është vlerësuar si e qetë dhe stabile. Gjithashtu është diskutuar edhe për situatën e krijuar si rezultat i reshjeve të borës dhe erërave të forta gjatë këtyre dy ditëve.
Kryetari i komunës z.Shaban Shabani tha se edhe përkundër reshjeve të borës dhe erërave të forta operatorët e kontraktuar nga komuna po vazhdojnë të jenë në terren në pastrimin e rrugëve nga bora, njëherit falënderon edhe banorët dhe kompanitë private të cilat po vazhdojnë të ndihmojnë në këtë aksion për pastrimin e rrugëve nga bora.
Drejtori i Arsimit në Dragash Vloran Cenaj ka folur për vendimin e marrë nga drejtoria e arsimit për pezullimin e mësimit gjatë ditës së enjte.
Ai tha se në konsultim me kryetarin e komunës për shkak të reshjeve të shumta të borës, erërave të forta dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, drejtoria e arsimit në Dragash ka marrë vendim që me datë 06.02.2020 të pezullohet mësimi. Dita e humbur do të zëvendësohet në një ditë të shtunë.
Mësimi i rregullt vazhdon të premten me datë 07.02.2020.
Komandanti i stacionit të policisë Shaqir Uka, gjatë takimit të KKSB-së ndër tjerash me theks të veçantë ka folur për gjendjen e sigurisë në këtë komunë. Ai tha se gjendja e sigurisë në komunën e Dragashit, ka qenë stabile.
Edhe përfaqësues të FSK-së shprehën gatishmërinë për t’i ndihmuar banorët e komunës së Dragashit në moment kur jeta e qytetarëve është në rrezik.