Dragash – Mungesa e të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor Ymrishat dhe Nadir Gashi, ka pamundësuar mbajtjen e seancës, e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.
Gjykatësja e rastit, Sabaheta Kurteshi ka deklaruar se nga fletëkthesat që gjenden në shkresat e lëndës, palët janë thirrur në mënyrë të rregullt, mirëpo sipas saj, ata kanë refuzuar ftesën.
Gjykatësja Kurteshi, ka deklaruar se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me dhunë ndaj dy të akuzuarve.
Seancën e radhës është caktuar të mbahet më 17 korrik 2019, në ora 14:00.
Në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 23 nëntor 2015, të pandehurit Nadir dhe Ymrishat Gashi, akuzohen se më 4 gusht 2015, rreth orës 09:15, në vendin e quajtur “Livadhi i madh”, ne afërsi të fshatit Brezne, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, Nevzat Krasniqi.
Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari ishte duke ruajtur bagëtitë, Nadir Gashi e godet atë me mjete bujqësore, ndërsa Ymrishat Gashi me një shkop druri, mjete këto të përshtatshme për t’i shkaktuar atij lëndime trupore, në pjesën e kokës dhe parakrahut të majtë.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi