Partitë Opozitare në Dragash, LVV dhe PDK, kanë akuzuar komunën e Dragashit për punësime familjare e partiake rreth konkursit për anëtar të bordit në kompanin ”Eco-Regjioni”, raporton TVOpoja.

Nga ky konkur u përzgjedh Fitore Mejzini, e cila ishte si kandidatja e cila kishte më së shumti pikë nga konkursi.

Në një prononcim për gazetë Nacionale, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini ka folur rreth akuzave të opozitës.

“Komisioni është votuar nga Kuvendi Komunal i Dragashit dhe është pranuar nga dy ministri, e Administratës Publike dhe ajo e Financave, çka tregon se ky komision është i ligjshëm, pasi dy ministritë kanë aprovuar vendimin e kuvendit komunal”, thotë ai.

Kryetari Xheladini shton se ka pasur shpallje publike për këtë konkurs. Shpallja publike është bërë më datën 9 prill 2022, në gazetën Koha Ditore. Dhe, sipas Xheladinit, kjo përmbush kushtet ligjore për këtë konkurs, ka thënë ai për gazetën Nacionale, përcjell TVOpoja.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i mohon akuzat për punësim familjar, anipse nuk e mohon se asamblisti dhe anëtarja e re e bordit kanë lidhje familjare, vetëm se nuk e di saktë se çka.

“Akuza të opozitës ma. Opozita ka të drejtë me i ra teneqes”, tha kryetari i Dragashit, Xheladini, për gazetën Nacionale.

Mirëpo, kryetari tha se “Dëshirë e kryeshefit të ‘Eco-regjionit’ ka qenë që Komuna e Dragashit ka pasur çelësin të dërgojë një femër. Sepse bordi duhet të jetë 50% me 50%, por kjo nuk është për opinion”.

Kryetari Xheladini, po ashtu, tha se asnjë grua tjetër nuk ka konkuruar.

Partitë opozitare thonë se dyshimet e tyre vijnë pasi të gjithë anëtarët e komisionit komunal i përkisnin LDK-së, parti së cilës i përket edhe kryetari i komunës Bexhet Xheladini.

Dyshimet e tyre u rritën edhe më shumë kur vendin e punës në ndërmarrjen publike e mori Fitore Mejzini, e cila është vajza e axhës së asambleistit të LDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Sefidin Mejzini.

Anëtarë të Komisionit Komunal të Aksionarëve të “Eco-Regjioni” ishin: Veton Halili, Shef i Kabinetit të Komunës; Naser Myrtezani, Shef i grupit të asambleistëve të LDK-së; si dhe Mehmet Spahiu, asambleist i LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Dragash, thotë se konkursi është bërë për “rahatim e pozicionim të familjarëve të LDK-së”.

“Ndoshta zonja [Fitore Mejzini] do të fitonte prapë, s’kemi asgjë personale me të. Mirëpo, pa pasë thirrje publike, konkursi duhet të ripërsëritet dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore për punësimin e shërbyesve civilë”, i tha gazetës Nacionale Asri Qusaj, sekretar i degës së LVV-së në Dragash.

Me akuza më të ashpra dhe me emra të përveçëm është PDK-ja e Dragashit.

Vehbi Nazifi, kryetar i degës së PDK-së atje, i përmendi gazetës Nacionale se shpallja do të duhej të bëhej në hyrje të ndërtesës së komunës, e po ashtu në uebfaqen e komunës. Ai potencon edhe përbërjen njëpartiake të komisionit komunal, me zyrtarë të LDK-së, dhe thotë se Veton Halili, si shef i kabinetit, s’mund të jetë pjesë e komisionit, pasi ai i përgjigjet vetëm kryetarit të komunës.

Ai bazohet në Ligjin mbi Shërbyesit Civilë, neni 10, pika 4, ku thuhet se “Zyrtarët e emëruar në Zyrën e Kryetarit, Nënkryetarit dhe Kryesuesit, nuk mund të jenë pjesë e komiteteve e komisioneve të themeluara nga Kryetari e Kuvendit”.

Veton Halili është pyetur nga gazeta Nacionale rreth kësaj se a mendon se kjo ka mundur të penalizojë qytetarët e Dragashit për ta parë shpalljen publike për këtë konkurs.

“Për këtë informatë duhet të kontaktoni “Eco-Regjioni”, ishte përgjigjja e shkurtër e tij.

Ani pse shpallja e publikuar në gazetë është bërë në emër të “Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike KRM ‘Ekoregjioni’, Dragash”, ku Veton Halili është anëtar i komisionit, dhe jo në emër të ndërmarrjes publike.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Fitore Mejzinin dhe Sefidin Mejzinin për versionin e tyre, por asnjëri nga ta nuk është përgjigjur.

/nacionale.com