Kosova ka marrë vendim që asnjë zyrtari nga Beogradi të mos i japë leje të hyjë në shtetin e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas provokimeve e sjelljeve që po vijnë nga ky vend.
Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një njoftimi në facebook, ka thënë se për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri e çështjeve tjera, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë këtë vendim, transmeton Koha.net.
“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj.