Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot fazën e aplikimit për subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.
Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2019, Ministria ka ndarë nga bugjeti i saj shumën prej 25 milionë euro dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot dhe përfundon më 30 qershor 2019.
Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për sipërfaqet e mbjella të grurit, të farës së grurit, të elbit, të thekrës, të tërshërës, të misrit, të lulediellit, për vreshtat ekzistuese, verë të prodhuar dhe deklaruar zyrtarisht, për pemishtet ekzistuese, për sasinë e dorëzuar apo shitur të frutave të mjedrës, për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë së rrushit mbi nënshartesat vegjetative, për sipërfaqet e mbjella me perime, për bujqësi organike, për lopë dhe buallica qumështore, dele, dhi, bletë, për pula vojse, për thëllëza, për dosa në riprodhim, për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, për sasinë e dorëzuar apo shitur të duhanit.
Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit për pagesa direkte, kriteret e vlerësimit fermerët mund të informohen në detaje në ueb faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.