
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr ka ngritur akuza për nepotizëm dhe jotransparencë ndaj kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me disa punësime në institucionet shëndetësore komunale.
TVOPOJA e ka paraqitur këtë informacion si qëndrim dhe akuzë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr. Për pretendimet e ngritura në këtë reagim, në momentin e parë që kemi një qëndrim nga Komuna e Dragashit dhe kryetari Bexhet Xheladini do ta publikojmë.
Në një reagim të publikuar më 11 shtator, VV pretendon se gjatë mandatit të parë të Xheladinit është punësuar djali i vëllait të tij, Dritan Xheladini, si stomatolog, ndërsa vëllai i kryetarit është avancuar në pozitën e U.D. mbikëqyrësit të stafit në QMF-në në Bresanë.
Sipas VV-së, në vitin e parë të mandatit të dytë, në institucionet shëndetësore janë punësuar edhe Artan Xheladini, djali i kryetarit, si mjek, si dhe Verona Shishani, nusja e vëllait të tij, në pozitën e laborantes.
VV ngre dyshime edhe për mënyrën e rekrutimit të këtyre dy personave, duke pretenduar se konkurset përkatëse nuk janë publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Dragashit apo në kanalet e tjera zyrtare të institucionit.
Për këtë çështje, nga VV bëjnë të ditur se përmes këshilltarëve të tyre në Kuvendin Komunal do të kërkojnë transparencë të plotë dhe sqarime lidhur me procedurat e këtyre punësimeve.
Në reagim, VV e akuzon qeverisjen komunale për nepotizëm dhe e cilëson si “Dinastia Xheladini”, duke kërkuar që institucionet publike të funksionojnë mbi bazën e meritokracisë dhe rregullave të rekrutimit.
©TVOPOJA