Edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Vallëve “Opoja Vallëzon” mbahet më 24, 25 dhe 26 korrik në Bresanë

Kulturë & Art7 hours ago151 shikime

Bresana do të mirëpresë edhe këtë vit një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Komunën e Dragashit. Më 24, 25 dhe 26 korrik, duke filluar nga ora 19:00, do të mbahet edicioni i tetë i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Vallëve “Opoja Vallëzon”, i cili organizohet për herë të katërt me karakter ballkanik.

I shndërruar tashmë në një traditë kulturore, festivali synon promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë folklorike, forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, si dhe prezantimin e vlerave autentike të folklorit për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

Festivali organizohet nga Shoqëria Kulturo-Artistike “Bresana”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gjatë tri mbrëmjeve të festivalit, oborri i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “28 Nëntori” në Bresanë do të shndërrohet në skenën ku ansamblet pjesëmarrëse do të prezantojnë programet e tyre artistike, duke sjellë para publikut valle, këngë dhe elemente të trashëgimisë kulturore të vendeve që përfaqësojnë.

Në edicionin e këti viti do të marrin pjesë ansamble nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Polonia, Kroacia dhe Arbëreshët e Italisë, duke i dhënë festivalit një karakter të gjerë ndërkombëtar dhe duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim kulturor.

Me rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes ndërkombëtare, “Opoja Vallëzon” vazhdon të konsolidohet si një prej festivaleve më të rëndësishme folklorike në rajon, duke kontribuar në promovimin e vlerave kulturore, identitetit kombëtar dhe dialogut ndërkulturor.

TV Opoja do ta përcjellë festivalin me transmetim të drejtpërdrejtë gjatë të tri mbrëmjeve, duke sjellë për publikun të gjitha performancat dhe zhvillimet nga kjo ngjarje e rëndësishme kulturore.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...