
Dragashi është përfaqësuar me sukses në Superfinalen e Garës së Robotikës – Kosova Makers League 2026, duke dëshmuar edhe një herë potencialin dhe talentin e nxënësve të komunës në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Edicioni i tetë i kësaj gare mblodhi gjatë vitit mbi 4,000 nxënës dhe 300 mentorë nga 31 komuna të Kosovës, ndërsa në superfinale u kualifikuan ekipet më të mira të vendit.
Nën mentorimin e profesorit Artan Ajeti, dy shkolla nga Dragashi arritën rezultate të shkëlqyera. Ekipi i SHFMU “Ulina” me nxënësit Amir, Erdi, Blerta dhe Eba u rendit në vendin e pestë, ndërsa ekipi i SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë, i përbërë nga Miftari, Jasiri, Lejla dhe Yllka, u rendit në vendin e dhjetë.
Profesori Ajeti vlerësoi përkushtimin, kreativitetin dhe bashkëpunimin e nxënësve, duke falënderuar gjithashtu Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dragash dhe drejtuesit e shkollave për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e talenteve të reja.
Ndërkohë, në superfinale mori pjesë edhe SHFMU “Shaban Shabani” nga Llopushniku, e cila u përfaqësua nga nxënësit Elma , Rita, Rroni dhe Harbini, të udhëhequr nga mentori Leutrim Qengaj. Ekipi kishte siguruar kualifikimin mes më të mirëve në vend falë punës, përkushtimit dhe pasionit për robotikën.
Pjesëmarrja dhe rezultatet e shkollave nga Dragashi në një garë me konkurrencë kaq të lartë janë dëshmi e zhvillimit të arsimit, inovacionit dhe aftësive të brezit të ri, duke e bërë komunën krenare me sukseset e nxënësve dhe mentorëve të tyre.
©TVOPOJA