
Në Dragash u zhvillua aktiviteti Karvani Shëndetësor, i cili solli pranë qytetarëve një hapësirë të dedikuar për këshilla profesionale, ndërgjegjësim dhe promovim të shëndetit, me fokus në parandalimin e sëmundjeve kronike.
Gjatë këtij aktiviteti, profesionistët shëndetësorë të QKMF-së “Adem Berisha” ofruan ekzaminime mjekësore si matje të tensionit dhe sheqerit në gjak, si dhe këshilla mbi mënyrën e shëndetshme të jetesës. Qytetarët u informuan për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe parandalimin e faktorëve të rrezikut që ndikojnë në shëndet.
Falënderime të veçanta iu drejtuan organizatorëve, OJQ “Syri i Vizionit” dhe projektit AQH (Accessible Quality Healthcare), për realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, si dhe stafit të QKMF-së për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar.
Ky karvan shëndetësor theksoi se parandalimi mbetet hapi më i rëndësishëm drejt një jete më të shëndetshme. Përmes bashkëbisedimeve me profesionistët, qytetarët u vetëdijësuan për rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjeve jo-ngjitëse dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore.
©TVOPOJA