OPOJANI FISNIK SINANI, DOKTORI MË I RI I SHKENCAVE

Arsim3 hours ago102 shikime

Bashkëvendësi ynë, dr. Fisnik (Rafet) Sinani nga fshati Zgatar, u bë doktori më i ri i shkencave nga Opoja, duke kurorëzuar me sukses një rrugëtim të gjatë të dijes, përkushtimit dhe punës së palodhur.
Më 6 korrik 2026, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “SS. Cyril and Methodius” në Maqedoninë e Veriut, dr. Fisnik Sinani mbrojti me sukses të lartë disertacionin e doktoratës me titull: “Ndikimi i infeksioneve cerviko-vaginale në lindjen e parakohshme”, duke fituar gradën Doktor i Shkencave të Mjekësisë.
Mentore e doktoratës ishte prof. dr. Jadranka Georgievska, ndërsa komisioni u kryesua nga prof. dr. Ana Daneva Markova. Anëtarë të komisionit ishin prof. dr. Goran Dimitrov, prof. dr. Vesna Livrinova dhe prof. dr. Ivo Kaev nga Universiteti i Mjekësisë në Shkup. Mbrojtja e disertacionit ishte publike.
Dr. Fisnik Sinani u lind më 22 mars në fshatin Zgatar të komunës së Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në “Ruzhdi Berisha” në Sharr.
Në vitin akademik 2008/2009 regjistroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, të cilat i përfundoi në tetor të vitit 2014 me sukses të shkëlqyer.
Nga qershori i vitit 2015 deri në vitin 2019 punoi si mjek i përgjithshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren. Specializimin në fushën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës e përfundoi në korrik të vitit 2022. Pikërisht gjatë periudhës së specializimit ai regjistroi edhe studimet e doktoratës në Universitetin “SS. Cyril and Methodius”.
Në dhjetor të vitit 2022 u punësua si mjek specialist në Spitalin Rajonal “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku vazhdon të japë kontributin e tij profesional si një gjinekolog-obstetër i përkushtuar. Gjatë tre viteve të punës si klinicist në këtë spital ka realizuar me sukses një numër të madh lindjesh dhe ndërhyrjesh operative. Njëkohësisht ushtron veprimtarinë edhe në ordinancën e tij private në Prizren.
Në periudhën 2019–2022, tri herë radhazi, ka qenë delegat në Odën e Mjekëve të Kosovës.
Dr. Fisniku është anëtar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës. Është autor dhe bashkautor i disa punimeve shkencore, ndërsa ka marrë pjesë në shumë simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Në jetën familjare, ai është i martuar me Hava Ibrahimi Sinani nga fshati Bresanë dhe është baba i tre fëmijëve trenjakë shtatëvjeçarë – një djali dhe dy vajzave. Jeton dhe vepron në Prizren.
Pas mbrojtjes së doktoratës, në një njoftim të publikuar në profilin e tij në Facebook, dr. Fisnik Sinani, ndër të tjera, shkroi:
“Sot mbylla me krenari një nga kapitujt më të rëndësishëm të rrugëtimit tim akademik, duke përfunduar me sukses studimet e doktoratës. Ky ka qenë një udhëtim i mbushur me sfida, përkushtim, kërkim shkencor të pandërprerë dhe mësime të vyera. Çdo hap i këtij rrugëtimi më ka formësuar si studiues dhe profesionist, duke më bindur edhe më shumë se dija është një proces i vazhdueshëm i zhvillimit dhe përmirësimit.
Mirënjohja ime shkon për familjen, miqtë, kolegët dhe mentorët, të cilët me mbështetjen, besimin dhe inkurajimin e tyre kanë qenë pjesë e pandashme e këtij suksesi. Çdo arritje është rezultat i punës së palodhur, këmbënguljes dhe besimit në qëllimet që i vendosim vetes.
Përfundimi i studimeve të doktoratës nuk shënon fundin e rrugëtimit tim akademik, por hap një kapitull të ri me sfida, përgjegjësi dhe mundësi të reja për të kontribuar në kërkimin shkencor, inovacion dhe zhvillimin e dijes. Me përulësi dhe vendosmëri vazhdoj përpara, i motivuar për të mësuar, për të krijuar dhe për të dhënë kontributin tim në shërbim të shkencës dhe shoqërisë. Faleminderit të gjithëve që ishit pjesë e këtij rrugëtimi!”
Në një bisedë me ne, dr. Fisnik Sinani u shpreh se këtë arritje të madhe shkencore ia dedikon babait të tij, dr. Rafet Sinani, gjinekolog-obstetër me reputacion, i cili për dekada të tëra ka qenë në shërbim të pacientëve të rajonit të Prizrenit. Me shumë sakrifica e punë të pandërprerë, ai arriti të edukojë dhe të shkollojë katër fëmijët e tij – tre djem dhe një vajzë – duke u krijuar atyre dhe familjes një jetë të mirë e të begatë. Ky dedikim është një dëshmi e respektit dhe mirënjohjes së birit për prindin që me mund e përkushtim i hapi rrugën drejt dijes.
Suksesi i dr. Fisnik Sinanit është një krenari jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Zgatarin, Opojën, Prizrenin dhe mbarë hapësirën shqiptare. Ai dëshmon se përkushtimi, puna dhe besimi në dije janë rruga më e sigurt drejt arritjeve të mëdha.
Urime, dr. Fisnik, për këtë avancim të rëndësishëm shkencor! Uroj që kjo të jetë vetëm një stacion në rrugën e gjatë të sukseseve tuaja dhe që arritjet t’ju radhiten njëra pas tjetrës si rruazat në një gjerdan, në shërbim të shkencës, mjekësisë dhe njerëzimit. (Demir Reshiti)
Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...