
Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Dragash ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si u organizua Takimi i Parë Publik me Qytetarë, ku kryetari i komunës raportoi për punën gjashtëmujore të ekzekutivit lokal.
Në reagimin e saj, PDK e cilësoi organizimin si “skandaloz dhe të dështuar”, duke theksuar se nga mbi 28,000 banorë rezidentë, në sallë nuk ishin më shumë se 8 qytetarë, ndërsa pjesa tjetër e të pranishmëve ishin zyrtarë komunalë dhe administratë e pushtetit. Sipas partisë, kjo tregon se “pjesëmarrja qytetare” është vetëm dekor politik dhe jo proces real demokratik.
PDK akuzon se e njëjta praktikë është përsëritur edhe në dëgjimet buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore, ku propozimet e qytetarëve janë injoruar ose përdorur vetëm për formalitet, pa reflektim në dokumentet përfundimtare. Kjo, sipas tyre, dëshmon se qeverisja lokale nuk udhëhiqet nga interesi publik, por nga një rreth i mbyllur klientelist.
Partia ngre shqetësime për mungesë transparence, favorizime në projekte publike, shpërndarje selektive të buxhetit dhe dyshime për klientelizëm e blerje votash. Situata, sipas PDK-së, bëhet edhe më serioze duke pasur parasysh se edhe partneri i koalicionit qeverisës, Jedinstvena Goranska Partija (JGP), ka denoncuar publikisht keqpërdorime dhe ka bojkotuar mbledhjen e Kuvendit Komunal.
PDK kërkon që kjo qasje të marrë fund menjëherë dhe i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë hetime të plota e të pavarura mbi pretendimet për keqpërdorim të parasë publike, klientelizëm politik dhe përfitime të paligjshme.
Në përfundim, partia thekson se qytetarët e Dragashit nuk duhet të mbeten peng i një pushteti që dyshohet se ka shndërruar komunën në mekanizëm për shpërblim politik e ekonomik të një rrethi të ngushtë individësh.
©TVOPOJA