Polemika për ngrohjen në ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash: Akuza dhe kundërpërgjigje mes VV-së dhe Drejtorisë së Arsimit

ArsimInstitucione22 orë më parë205 shikime

Foto Ilustrim

Çështja e ngrohjes në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Fetah Sylejmani” në Dragash ka nxitur debat publik, pas reagimeve të njëpasnjëshme nga përfaqësues politikë dhe institucionet komunale.

Fillimisht, asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Dragash, z. Uran Halimi, ngriti shqetësimin për mungesë të ngrohjes në këtë shkollë, duke deklaruar se tash e më shumë se një muaj nxënësit janë detyruar të ndjekin mësimin në kushte jo të përshtatshme.

Sipas tij, problematika lidhet me keqmenaxhim dhe kontrata të dyshimta për furnizim me dru, ndonëse sistemi i ngrohjes në shkollë funksionon me pelet. Halimi gjithashtu i drejtoi një pyetje ekzekutivit lokal, duke kërkuar përgjegjësi për kushtet në të cilat po mësojnë nxënësit.

Në anën tjetër, Drejtoria Komunale e Arsimit në Dragash ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe që nuk pasqyrojnë gjendjen reale në shkollë.

Në një sqarim publik, kjo drejtori thekson se procesi mësimor është zhvilluar pa ndërprerje dhe në kushte të pranueshme. Sipas tyre, në periudhën kur ka pasur mungesë të përkohshme të peletit, është siguruar ngrohje alternative përmes kaloriferëve, duke garantuar vazhdimësinë e mësimit.

Drejtoria gjithashtu ka shpjeguar se vonesat në furnizim kanë ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve në treg dhe mospajtimeve teknike me operatorin ekonomik, i cili është i kontraktuar me çmime të mëparshme në një kontratë trevjeçare. Sipas tyre, situata tashmë është tejkaluar dhe furnizimi me pelet është stabilizuar.

Megjithatë, reagimi i Drejtorisë nuk ka kaluar pa kundërpërgjigje. Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Sharr ka reaguar sërish, duke akuzuar pushtetin lokal për dezinformim dhe duke këmbëngulur se realiteti në terren është ndryshe.

Sipas këtij subjekti politik, për më shumë se 30 ditë mësimi është zhvilluar në temperatura të ulëta, me orar të reduktuar, ndërsa në shumë raste nxënësit nuk kanë ndjekur fare mësimin.

VV-ja ka publikuar gjithashtu të dhëna nga kontrata për furnizim me pelet, ku për vitin 2026 janë paraparë 55 tonë, duke ngritur dyshime për menaxhimin e këtij furnizimi. Ata kanë kërkuar transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale, duke përmendur edhe pretendime për nënshkrime të dhëna për furnizime që, sipas tyre, nuk janë realizuar.

Një tjetër çështje e ngritur nga VV-ja është pranimi i druve për ngrohje në një shkollë që funksionon me sistem peleti, gjë që sipas tyre mbetet e paqartë dhe kërkon sqarim.

Debati mbetet i hapur, ndërsa qytetarët dhe prindërit presin një pasqyrim të qartë të gjendjes reale dhe zgjidhje konkrete për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...