
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash, Vehbi Nazifi, ka uruar kandidatin për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjetet sociale, Nazifi ka theksuar se në balotazh fushata do të rifillojë me energji të re dhe me besim të plotë në fitore. Ai ka paralajmëruar se ditëve në vijim PDK do të zyrtarizojë koalicionet me partitë opozitare, duke krijuar një bllok të përbashkët opozitar nën drejtimin e kandidatit Shaban Shabani.
“Së bashku me partnerët tanë tashmë përfaqësojmë 54.37% të votave – një shumicë e qartë që dëshmon se fitorja më 9 nëntor është e jona,” ka shkruar Nazifi.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që për çfarëdo arsye nuk kanë marrë pjesë në raundin e parë, që kësaj radhe të na bashkohen – për ndryshimin, zhvillimin dhe fitoren e madhe të përbashkët,” ka shtuar ai.
Ndërkohë, kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, ka falënderuar bashkatdhetarët nga mërgata për mbështetjen dhe kontributin e tyre në zgjedhje.
“Mirënjohja jonë është e madhe për mbështetjen tuaj ndaj Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Dragash dhe për kontributin tuaj në zgjedhjet komunale. Me pjesëmarrjen dhe votën tuaj treguat edhe një herë dashurinë e fortë për vendlindjen dhe përkushtimin për zhvillimin e saj,” ka shkruar Shabani.
Zgjedhjet për balotazhin në Komunën e Dragashit do të mbahen më 9 nëntor.