
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Dragash, ku i dha përkrahje të fuqishme kandidatit për kryetar të komunës, Filiz Mustafa, si dhe kandidatëve për asamble komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vizita nisi tek hyrja e qytetit, pranë stacionit aktual të autobusëve – një vend i veçantë për shkak se ndërtimi i stacionit modern të autobusëve është një nga premtimet kyçe të programit qeverisës për Dragashin. Prej aty, Kryeministri dhe ekipi shoqërues ecën në këmbë përgjatë rrugës kryesore të qytetit, duke ndalur tek disa biznese vendore.
Njëra prej ndalesave ishte te FC Acesors, biznesi i hapur nga Filloreta Sejrani Kalanderi, e cila me duart e saj prodhon dhe shet produkte artizanale.
Më pas, Kurti vizitoi “AR Frizer”, ku dy të rinj të kthyer nga trajnimet në Prishtinë, kanë hapur sallonin e tyre në Dragash. Kjo u cilësua si shembull i suksesshëm i arsimit praktik dhe i nevojës për funksionalizimin e shkollës profesionale në komunë.
Më tej, Kryeministri mori pjesë në një takim të ngrohtë në Cafe Valerie, ku bashkë me kandidatin për kryetar dhe ekipin e Vetëvendosjes, zhvilloi biseda me të rinj, gra dhe vajza, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në jetën shoqërore dhe politike të Dragashit.
Agjenda vijoi me një vizitë në fshatin Blaç, tek fermeri Yrmet Tafili, i cili zotëron rreth 300 krerë dele. Kryeministri u informua nga vetë fermeri për vështirësitë që ka hasur, veçanërisht pas dëmtimit nga një zjarr i madh që i shkatërroi strehimin e ushqimit për bagëtitë, pa marrë asnjë mbështetje nga komuna. Kurti theksoi se përkrahja e bujqësisë dhe e fermerëve do të jetë prioritet i qeverisë dhe i udhëheqjes së ardhshme të komunës.
Në fund, ekipi pati mundësi të ndalet edhe pranë Liqenit të Breznes, një destinacion i veçantë natyror, i cili sipas programit të Vetëvendosjes do të zhvillohet si pjesë e turizmit malor dhe kulturor në komunë.
Kryeministri Kurti theksoi se Filiz Mustafa është kandidati i duhur për t’i dhënë Dragashit zhvillimin që meriton, duke u zotuar për përkrahje të parezervë në të gjitha fushat që prekin jetën e qytetarëve.