Dragashi është komuna e vetme në rajonin e Prizrenit që gjatë vitit financiar 2018 ka arkëtuar më pak mjete nga tatimi në pronë krahasuar me vitin 2017.
Ndërkohë pesë komunat e tjera të këtij rajoni kanë arritur që në vitin e shkuar të grumbullojnë më shumë të hyra nga tatimi në pronë se në vitin 2017.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave del se Komuna e Dragashit ka arkëtuar 24 mijë euro më pak të hyra nga tatimi në pronë, pasi që në vitin e shkuar ka arkëtuar 170 mijë euro, derisa në vitin 2017 kishte mbledhur 194 mijë euro.
Prizreni në vitin 2018 ka arkëtuar 2 milionë e 197 mijë euro nga tatimi në pronë, derisa në vitin paraprak kishte arkëtuar 2 milionë e 60 mijë euro.
Komuna e Suharekës vjet ka arkëtuar 685 mijë euro nga tatimi në pronë ndërkohë që në vitin 2017 kishte grumbulluar 567 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Rahoveci, vitin financiar 2018 e ka mbyllur me 419 mijë euro të grumbulluara nga tatimi në pronë, derisa në vitin paraprak figuron se kishte arkëtuar 303 mijë euro.
Komuna e Malishevës ka arritur që të përmirësojë arkëtimin për 60 mijë euro, pasi që në vitin 2018 ka grumbulluar 269 mijë euro në emër të tatimit në pronë ndërkohë që në vitin 2017 të hyrat nga kjo kategori kanë qenë në shumën 209 mijë euro.