Kryetari i Komunës së Dragashit uron qytetarët për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

PolitikLajme nga Opoja9 muaj më parë281 shikime

Gjatë seancës solemne të mbajtur sot për nder të pavarësisë në Kuvendin Komunal në Dragash, kryetari i komunës, Bexhet Xheladini, ka uruar qytetarët duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për popullin shqiptar. Ai shprehu mirënjohje për sakrificat dhe përpjekjet e bëra nga shumë breza për të arritur pavarësinë dhe theksoi angazhimin për ruajtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në fjalimin e tij, kryetari Xheladini përmendi kontributin e rëndësishëm të presidentit Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë.

Jemi mbledhur në këtë seancë solemne për të nderuar dhe festuar një ngjarje të jashtëzakonshme për popullin tonë, 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ky është një moment i veçantë, një moment që na bashkon të gjithëve ku kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë sakrificat e brezave të shumtë që luftuan ndër shekuj për t’i mbrojtur tokat shqiptare nga regjimi i okupatorit të shteteve të Ballkanit.

Një falënderim i veçantë i shkon presidentit Rugova, arkitektit të pavarësisë, i cili me një vizion të qartë dhe angazhim të palodhur udhëhoqi Kosovën drejt lirisë duke ruajtur vlerat e paqes, demokracisë dhe unitetit kombëtar. Një tjetër personalitet i paharruar i historisë sonë është komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, të cilët sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Kosovës. Kontributi i tyre ka qenë vendimtar për luftën çlirimtare dhe fitimin e lirisë që sot e gëzojmë.

Sot ne jetojmë dhe veprojmë të lirë në shtetin tonë të pavarur falë heroizmit të pashoq të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke luftuar për çdo pëllëmbë të këtij vendi dhe secilin qytetar të Kosovës. Luftuan për çdo grua e fëmijë që ëndërronin të jetonin në një shtet të lirë. Më lejoni të përmend edhe kontributin e vendeve perëndimore dhe NATO-s, të cilat ishin në mbështetje të popullit të Kosovës duke ofruar mbrojtje dhe ndihmë në momentet më të vështira të historisë sonë.

Sot ne jetojmë të lirë falë gjakut të dëshmorëve të cilët e dhanë çmimin më të shtrenjtë, pra jetën, për pavarësinë e Kosovës. Ata janë shembull i guximit dhe flijimit, dhe ne do t’i kujtojmë përjetësisht sa të jetojë Kosova. Urime 17-vjetori i pavarësisë së Kosovës!

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...