
Gjatë seancës solemne të mbajtur sot për nder të pavarësisë në Kuvendin Komunal në Dragash, kryesuesja e kuvendit, Arijeta Qafleshi Skeraj, ka uruar qytetarët duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për popullin shqiptar. Ajo shprehu mirënjohje për sakrificat dhe përpjekjet e bëra nga shumë breza për të arritur pavarësinë dhe theksoi angazhimin për ruajtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Jemi mbledhur për të shënuar përvjetorin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Shtatëmbëdhjetë vite më parë, më 17 shkurt 2008, përpjekjet shekullore dhe sakrificat e shumë brezave që u angazhuan për të ardhmen e këtij vendi u kurorëzuan me shpalljen e Kosovës si republikë të pavarur dhe demokratike.”
Me punë dhe angazhim, do ta ndjekim rrugën që e kanë trasuar brezat e mëparshëm me krenari dhe duke ruajtur me fanatizëm vlerat e lirisë dhe demokracisë. Ne do të përulemi me nderime të thella para veprave dhe sakrificës së pa shembullt të dëshmorëve dhe luftëtarëve tanë, veprimtarëve dhe patriotëve të shumtë, të cilët dhanë gjithçka që kishin nga vetja për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Në emër të Kuvendit Komunal, ju uroj gëzuar 17-vjetorin e Republikës së Kosovës. Lavdi të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta.
©TVOPOJA