Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, para disa ditëve ka njoftuar se një 69 vjeçar nga komuna e Dragashit, dyshohet se është infektuar me Lijën e Majmunëve, raporton TVOpoja.

IKSHPK ka bërë të ditur se i kanë dërguar mostrat e të dyshurit në Holand, për të kuptuar nëse pacienti është infektuar me këtë virus.

Që nga dita e shtunë kur është konfirmuar se një person dyshohet se është infektuar me Lijën e Majmunëve dhe se mostrat e tij janë dërguar për analiza, ende nuk dihet për rezultatet.

TVOpoja ka kontaktuar me zëdhënësen e IKSHPK-së, Era Pirava, e cila ka thënë se ende nuk kanë marrë rezultatet e analizave dhe se nuk dihet ende se kur do të arrijnë.

Ndërsa drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka thënë se gjendja e pacientit të dyshuar me Lijën e Majmunit i cili është shtruar në një repart të veçantë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është stabile dhe drejt përmirësimit./tvopoja.tv