Prizren- Ish-drejtori i Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtijari dhe zyrtari i kësaj komune, Selajdin Vehbi kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi, ndërsa zyrtari tjetër Avni Nebiu, u deklarua i pafajshëm.
Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren pasi kanë kaluar më shumë se tre muaj nga seanca e kaluar, shqyrtimi kryesor filloi rishtas e po ashtu është bërë ndërrimi i anëtares së trupit gjykues ashtu që në vend të gjyqtares Arjeta Gashi, tani është caktuar Gjimshit Galushi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, të akuzuarit Ahmet Bahtijari dhe Salajadin Vehbi pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre, u deklaruan fajtor lidhur me akuzën që i ngarkon, ndërsa i akuzuari tjetër Avni Nebiu, u deklarua i pafajshëm.
Pas kësaj, prokurori Mehdi Sefa i propozoi gjykatës që të pranojë fajësinë për këtu të akuzuarit Ahmet Bahtijari dhe Salajdin Vehbi.
Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Valdet Hoxha dhe avokatja Erzane Shehu Mazrek deklaruan se pranimi i fajësisë është bërë pa presion, me dëshirë dhe se të akuzuarit janë njoftuar me pasojat e pranimit të fajësisë, andaj edhe kërkuan nga gjykata që të pranohet pranimi i fajësisë për të akuzuarit.
Pas kësaj, anëtarët e trupit gjykues në krye me kryetaren e trupit gjykues Raima Elezi, pasi që janë bindur se të akuzuarit Bahtijari dhe Vehbi kanë pranuar fajësinë dhe kanë kuptuar natyrën dhe pranimin e fajësisë, kanë aprovuar pranimin e fajësisë sipas pikave të aktakuzës.
Lidhur me dy të akuzuarit janë dhënë fjalët përfundimtare nga ana e palëve në procedurë, ndërsa shpallja e aktgjykimit ndaj tyre do të bëhet më 25 nëntor 2021.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me të akuzuarin tjetër Avni Nebiu, ku janë dhënë fjalët hyrëse, me këtë rast palët kanë qëndruar sipas fjalës hyrëse të datës 27 janar 2020.
Palët gjithashtu propozuan që deklaratat e dëshmitarëve që janë dëgjuar më herët, të merren si të lexuara, ku janë lexuar deklaratat e dëshmitarëve Nuro Ismaili, Fadil Sinani dhe Shenasi Qafleshi.
Seanca vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës, ku në mesin e tyre janë lexuar edhe raportet e shpenzimeve sipas numrit fiskal të vitit 2015, 2016 dhe 2017 për autoservisin “Menti”.
Po ashtu, është lexuar kontrata me Kuvendin Komunal të Dragashit me DPZ LML-com- Prizren si dhe ekspertiza e përpiluar nga ana e ekspertit Agim Sheqiri e datës 13 prill 2021.
Pasi që mbrojtja dhe i akuzuari Avni Nebiu kishin vërejtje lidhur me ekspertizën e ekspertit Agim Sheqirit, kanë propozuar që në seancën e radhës të ftohet eksperti që të japë sqarime më të detajuara lidhur me ekspertizën e punuar.
Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë më 10 dhjetor 2021.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, akuzohet edhe për “Konflikt të interest”.
Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.
Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.
Kështu që thuhet se i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djalit të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtarë të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.
Kështu që, sipas aktakuzës, i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.
Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.