Qytetarët e Kosovës në prag të stinës së dimrit po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Nga mëngjesi e deri mesditë, e shpesh herë nga mbrëmje e gjerë në mëngjes, qytetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike. E arsyetimet e KEDS-it që bënë furnizimin me rrymë është për shkak të punimeve që po bëhen nëpër rrjetin elektrik. Në anën tjetër, KEK thotë se nuk ka përgjegjësi për reduktimet me rrymë, pasi furnizues është KEDS që nga viti 2013.
Ndërsa, kjo gjendje aspak e mirë me rrymë ka bërë që të reagoj edhe Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai e ka quajtur zhgënjyese dhe të patolerueshme sjelljen e KEDS dhe KEK, duke kërkuar nga ta që të sigurojnë energji të mjaftueshme për qytetarët.
Qytetarët e Kosovës po përballën me reduktime të ashpra të energjisë elektrike deri në gjashtë orë e më shumë në terrn. Pavarësisht që në fund paguajnë faturat e larta të energjisë, megjithatë ata nuk furnizohet mjaftueshëm me rrymë. Madje, qytetarët këtë gjendje në vitin 2018 po e krahasojnë me periudhën e pasluftës, ku Kosova është përballur me mungesë të rrymës.
Jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset po dëmtohen nga mungesa e energjisë, pasi po u duhen të ndezin gjeneratorët për të kryer punë.
Mirëpo, institucionet përkatëse që janë gjegjëse për këtë çështje, kanë përgjigje të ndryshme se po ndodh kjo gjë.
Në një përgjigje për indeksonline, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se në fshatrat e Drenicës ku po ka mungesë më të madhe të rrymës, është duke u ndërtuar një largpërçues i ri i tensionit të lartë, që sipas tij, prej kësaj do të përfitojnë banorët e kësaj ane.
Ndërsa, ka theksuar se janë në fazën finale të lëshimit në punë, ku më nuk do të këtë probleme.
“Në disa fshatra të Drenicës është ndërtuar një largpërcues i ri (LP) i Tensionit të Lartë 20 kV (kilovolt), prej nga do të përfitojnë mijëra banorë të asaj ane. Kjo është bërë pasi rrjeti i vjetëri trashëguar nuk i plotësonte nevojat. Ne jemi në fazën finale të lëshimit në punë, pra të krijimit të lidhjeve me tension të ulët në tërë trasenë e tij. Por, punimet tashmë nuk mund të bëhen në tension, pasi e dini që kontakti me energji elektrike është i rrezikshëm për jetën e njeriut. Prandaj, detyrohemi ta ndalim energjinë elektrike”, ka thënë Buzhala.
Mes të tjerash, Buzhala ka thënë se nuk bëhet fjalë për mungesë por për investime të reja.
Ai ka thënë se edhe në disa fshatra përreth Prishtinës, Lipjani me disa fshatra e tjera vende janë duke u lëshuar në punë katër linja të reja.
“Njëjtë është situata edhe në relacionin nga Mazgiti i Obiliqit në Prugovc të Prishtinës dhe fshatrat përreth, në Lipjan me disa fshatra dhe nga fshati Llukë i Deçanit deri në Junik, me lokalitetet përreth. Pra, janë duke u lëshuar në punë 4 linja komplet të reja 20 kV, që janë linjat e para të këtij niveli që po ndërtohen në Kosovë. Përfitues direkt me shërbime më kualitative, dhe me të sigurta do të jenë dhjetëra mijë qytetarë të vendit”, ka theksuar Buzhala.
Sipas tij, të katër linjat pritet të lëshohen në punë këto ditë, pra në fund të nëntorit dhe të zgjidhet për një kohë të gjatë problemi i rrjetit të tensionit të lartë për këto zona.
Ndërsa, Skender Bucolli, zëdhënës në KEK për Indeksonline ka thënë se kjo koroporatë po realizon prodhim në mënyrë të suksesshme sipas planifikimeve.
“Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë prodhimin sipas planifikimeve dhe bilancit energjetik. Po ashtu kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për periudhat e ardhshme. Janë duke u përfunduar të gjitha remontet sipas planifikimeve të parapara dhe janë krijuar rezerva të mjaftueshme te thëngjillit”, ka thënë Bucolli, shkruan indeksonline.
Ai ka shtuar se për cdo 24 orë njoftojnë operatorët furnizues për kapacitetet e tyre prodhuese.
“Pra, sa i përket KEK-ut, bazuar në kapacitetet tona dhe mundësit teknike do të përmbushim të gjitha obligimet në prodhim të energjisë elektrike. Gjithashtu, siç është e paraparë me licencë dhe obligimet qe kemi, çdo 24 orë jemi duke i njoftuar operatoret e licencuar në treg për furnizim dhe shpërndarje të energjisë, KOSST dhe KEDS / KESCO, për kapacitetet tona prodhuese të energjisë elektrike”, ka thënë mes të tjerash ai.
Ai ka shtuar se Korporata Energjetike nuk ka asnjë përgjegjësi sa i përket reduktimeve të energjisë.
Duke theksuar se furnizues publik sipas licencës janë KEDS-i dhe KOSST-i.
“KEK-u e ka për obligim t’i njoftojmë me kohë operatorët për sasinë e prodhimit vendor, ndërsa operatoret e licencuar në treg (KOSST, KEDS / KESCO) janë të obliguar ta sigurojnë sasinë tjetër të energjisë kur konsumi është me i madh sesa kapacitet tona prodhuese”, është shprehur ndër të tjerash Bucolli.
Ndërsa, për këtë gjendje aspak të mirë me energji elektrike është deklaruar edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai e ka quajtur të papranueshëm faktin që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta.
“I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta.Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë.
Drejtues të KEK dhe KEDS e kanë për obligim dhe janë të thirrur të sigurojnë energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.Qytetarët këtë kohë po e krahasojnë me pasluftën.