
Në prag të balotazhit të 9 nëntorit, në komunën e Dragashit është zyrtarizuar një koalicion i gjerë ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Koalicionit VAKAT dhe kandidatit të pavarur nga komuniteti goran, Nedzmidin Sejdilar.
Ky bashkëpunim është konfirmuar nga drejtuesit e subjekteve pjesëmarrëse, ndërsa qëllimi i përbashkët i tyre është ndryshimi i qeverisjes lokale në Dragash.
Kandidati i VV-së në zgjedhjet lokale, Filizi Mustafa, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se pas analizës së rezultateve zgjedhore dhe konsultimeve me strukturat e partisë, është marrë vendim për të mbështetur kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, në balotazh.
“Pas analizës së rezultatit zgjedhor dhe diskutimeve në grupin punues të LV në Sharr, si dhe pas aprovimit nga kryesia qendrore e Lëvizjes Vetëvendosje!, kemi vendosur që në balotazhin e 9 nëntorit të mbështesim kandidatin e PDK-së në Sharr, z. Shaban Shabani,” – ka shkruar Mustafa.
Ai theksoi se vendimi është marrë mbi bazën e bindjes se “pushteti aktual komunal duhet të shkojë”, duke shtuar se VV mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj dhe se ky bashkëpunim synon t’i japë fund një qeverisjeje që, sipas tij, “nuk i ka sjellë dobi qytetarëve, por i ka varfëruar edhe më tej”.
Në marrëveshje janë përfshirë edhe Koalicioni VAKAT, që përfaqëson komunitetin boshnjak, si dhe kandidati i pavarur Nedzmidin Sejdilar nga komuniteti goran, duke krijuar kështu një front të gjerë opozitar kundër pushtetit aktual komunal.
Ky zhvillim e bën garën për Dragashin një nga më të ndjekurat në këtë balotazh, duke sjellë në qendër të vëmendjes bashkëpunimin e rrallë ndërmjet partive që tradicionalisht kanë pasur qëndrime të ndryshme në nivel qendror, por që këtë herë janë bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët: ndryshimin e qeverisjes lokale në Dragash.