Me repertorin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës opojane, Ymrija ka arritur të prezantojë dhe përjetësojë, vlerat e njëmendta të kulturës shqiptare…

Shkruan: Demir Reshiti

Këngëtarja dhe mësuesja e mirënjohur Ymrije Beqaj, këto ditë ka kremtuar ditëlindjen e saj të 65-të që përputhet edhe me ditën e pensionimit.

Ymrija, me origjinë nga fshati Bresanë i Opojës, është një artiste e merituar që ka pasuruar perlat e mirëfillta të këngës shqiptare. Me repertorin e saj të pasur, sidomos në vijën melodike të traditës opojane, ka arritur të prezantojë dhe përjetësojë, vlerat e njëmendta të kulturës shqiptare, të cilat ruhen edhe sot në fonotekën e Radio Televizionit të Kosovës.

E lindur në Prizren më 03.02.1955 Ymrija ishte fëmija i katërt me radhë i prindërve Xhevahire dhe Shyqri Beqaj. Shkollën fillore dhe Normalen i ka kryer në Prizren ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prizren e Gjilan.


Ka punuar si mësuese në Vërmicë e Prizren dhe një kohë edhe si udhëheqëse e emisioneve në Radio Prizren. Në vitin 1982 është transferuar në Prishtinë ku ka punuar fillimisht si zëvendësuese nëpër disa shkolla, ndërsa nga viti 1987 e deri në pensionim (3 shkurt 2020) ka punuar mësuese në shkollën fillore “Dardania”.

Qysh si fëmijë ka pasur interesim për muzikën e sidomos për këngët popullore. Këtë e ka vërejtur babai i saj Shyqriu (tashmë i ndjerë) i cili e ka nxitur akoma më shumë që ta dojë këngën. Ymrijes i kujtohet se shpeshherë babai e përcillte duke kënduar me rrahje shuplakash…
Në shkollën fillore “Emin Duraku” talentin e saj për të kënduar e vëren mësuesja Vera Zivgareviq e cila e merr në korin e shkollës.

Pas shkollës fillore regjistrohet në shkollën normale “Dimitrije Tucoviq” ku për herë të parë, si nxënëse e vitit të parë, paraqitet si soliste. Vlen të përmendet se prezantimin e saj të parë ia ka bërë vëllai Faiku (tashmë i ndjerë) i cili në atë kohë ishte në vitin e pestë të Normales. Më pas angazhohet në SHKA “Emin Duraku” të Zhurit dhe Shoqërinë “Agimi” të Prizrenit.
Më vonë, nga kryetari i Ansamblit “Shota”, Sylejman Shala, merr ftesë që të kalojë atje si profesioniste (këngëtare e valltare).

Në vitin 1972 merr pjesë në festivalin “Kosovarja këndon” ku nga juria profesionale vlerësohet me vendin e dytë. Në vitin 1973 debuton në “Akordet e Kosovës” me këngën “Gocat e Kosovës” të kompozitorit Hysen Badivuku, ndërsa në vitin 1976 në po këtë festival me këngën “Dashuri dhe lot” të Kadri Hysniut.
Janë rreth 20 këngë nga repertori i saj të incizuara në produksionin e RTP-së si dhe një numër i konsideruar i tyre gjatë paraqitjeve me Shoqëritë amatore.

Ndër këngët më të dëgjuara të Ymrijes (që dëgjohen edhe sot), janë: “Vet më the të due” dhe “Ku ke Rushe”, ndërsa kënga më e dashur për të mbetët “Vajzë e vogël”! Në këtë vegëz mund ta dëgjoni këngën “Vetë më the të due” e kënduar nga Ymrija para 42 vitesh! (1978) këngë që edhe sot dëgjohet me endje.
Gjatë viteve 1971-1979 ishte pesë herë në Shqipëri si këngëtare, valltare, moderatore, qitëse (ishte pjesëtare e Shoqatës së Shenjëtarisë së Kosovës)!
Në vitin 1979, bashkë me dhjetë këngëtarë të RTP-së: Nexhmije Pagarusha, Liljana Çavolli, Shahindere Berlajolli, Sabri Fejzullahu, Bashkim Paquku, Shpresa Gashi… (Ymrija ishte më e reja) shkojnë në një turne njëmujor në Shqipëri ku prezantohen me disa koncerte.

Ymrija edhe gjatë punës së saj si mësuese në Sh.F.M.U. “Dardania” në Prishtinë, ka edukuar e arsimuar disa breza të nxënësve të cilët krenohen që e kanë pasur mësuese!
Shumë mesazhe urimi e falënderimi janë nisur në adresë të Ymrijes me rastin e pensionimit nga ish nxënës, nxënës e kolegë të saj të punës të cilët e vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e Ymrijes në edukimin e nxënësve përgjatë karrierës së saj si mësuese. Ata e kanë quajtur “mësuese hyjneshë e dıjes dhe e bukurisë”, “mësuese e mirë inspiron shpresën, ndezë imagjinatën, dhe injekton dëshirën për të mësuar”, “mësuese më e mira në aspektin e kulturës, gjuhës, sjelljeve…”, etj.
Nuk kanë munguar as urimet e dashamirëve të këngës së saj të cilët e kanë vlerësuar si “artiste e merituar që ka pasuruar perlat e mirëfillta të këngës shqiptare”, “Yll i bukurisë e zë i bukur si i një puhie të ëmbël, i dalë nga shpirti”, “Mrekulli-ikonë e artit muzikor në terë shqiptarinë”, etj.