Xheladini: Akuzat e tyre janë Gënjeshtra, Dezinformim dhe Manipulim Politik

Institucione2 javë më parë205 shikime

Në një reagim ndaj shkrimit të Filiz Mustafës , Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, e cilësoi deklaratën e Mustafës si të pavërtetë, të rreme dhe të motivuar politikisht. Xheladini theksoi se pas shpërndarjes së statusit të Kryeministrit dhe reagimit të tij , pesë televizione kombëtare kërkuan intervista me Xheladinin, ku ai theksoi se deri tani Qeveria e Kosovës nuk ka bërë kompensimin e dëmeve.

Poashtu z. Xheladini në reagimin e tij sqaroi se Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve ka përfunduar vlerësimin dhe ka dërguar dokumentacionin e plotë Qeverisë, por ende nuk ka marrë përgjigje. Xheladini akuzoi Mustafën për dezinformim dhe përpjekje për përfitime politike, duke theksuar se komuna ka bërë gjithçka të mundur për të ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet. Ai e mbylli reagimin e tij duke thënë se qëndrimi i Mustafës është amorale dhe jo njerëzore, dhe se qytetarët e Dragashit janë të informuar dhe nuk do të bien pre e këtyre mashtrimeve.

Reagimi i plot i kryetarit të komunës në rrjete sociale:

AKTIVISTI I LVV-SË, FILIZ MUSTAFA, ZGJOHET NGA GJUMI PAS 9 MUAJSH PËR TË DEZINFORMUAR QYTETARËT E DRAGASHIT PËR MOSKOMPENSIMIN E DËMEVE NGA VËRSHIMET
Kështu, duke qenë i përgjumshëm, krejt çfarë ka thënë ky Filizi në reagimin e tij të djeshëm është e pavërtetë, gënjeshtër, shpifje dhe konstatim për përfitime politike.
Një ditë pas vërshimeve, kryeministri Kurti vizitoi Komunën tonë dhe po të njëjtën ditë ai shkroi një status në Facebook për vizitën në Dragash. Para disa ditësh, Facebook-u im ma rikujtoi atë status të Kryeministrit Kurti, të cilin e shpërndava. Pas kësaj shpërndarjeje, pesë televizione kombëtare kërkuan nga unë që të jap intervistë për këtë çështje, të cilën e bëra me shumë kënaqësi.
Në këto intervista kam theksuar se deri tani Qeveria e Kosovës nuk ka bërë kompensimin e dëmeve, as në infrastrukturë publike, as në ekonomi familjare, bujqësi dhe biznese. Kam thënë se Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Vërshimet, bazuar në instruksionet e dhëna nga Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitië Tjera, brenda dy javësh ka bërë vlerësimin e dëmeve në infrastrukturën publike dhe dokumentacioni i plotë, në formë fizike dhe elektronike, i është dërguar Qeverisë së Kosovës.
Duke vërejtur se nuk ka asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë, ndërsa situata ishte emergjente sepse rrugët ishin të bllokuara dhe të pakalueshme, unë përmes e-mailit dy herë kam kërkuar që në njërën nga mbledhjet e Qeverisë të futet në rend të ditës kompensimi i dëmeve nga vërshimet në infrastrukturën publike.
Pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve në infrastrukturën publike, Komisioni Komunal ka filluar vlerësimin e dëmeve në ekonomi familjare, bujqësi dhe biznese. Para se ky raport të dërgohej në Asamble për miratim, është mbajtur një takim i përbashkët i dy komisioneve, atij komunal dhe qendror, ku nga ana e tre anëtarëve të Komisionit Qendror, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij Komisioni, z.Kastriot Lajqi, janë dhënë instruksione dhe sqarime mbi mënyrën e vlerësimit dhe përgatitjes së dokumentacionit.
Raporti i Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, pas miratimit nga Asambleja Komunale, i është dërguar Komisionit Qendror për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësit Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, dhe nga ky Komision edhe sot e kësaj dite nuk kemi pranuar asnjë njoftim dhe vërejtje për dokumentacionin e dërguar.
Komisioni Komunal ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse ka pasur nevojë të dalë në terren për të shqyrtuar 230 kërkesa, duke bërë një punë profesionale. Në punën e Komisionit ka pasur vetëm 4 ankesa gojore, 2 për vlerësim joreal (vlerësim më të ultët) dhe dy të tjera për mospërfshirje në vlerësim.
Sigurisht që reagimet e mia në rrjetet sociale dhe në televizione publike nuk ju kanë pëlqyer dhe tani po gjeni kohë të reagoni, 9 muaj pas vërshimeve, duke e hedhur fajin për moskompensimin e dëmeve nga ana e Qeverisë tek Komuna e Dragashit.
Derisa disa kanë përdorur influencën e vet në Qeveri për të ndihmuar Bosnjën pas vërshimeve, ku ishit ju, z.Filiz Mustafa? Pse nuk e bëtë edhe ju një gjë të tillë për Komunën tuaj?
Siç po shihet nga reagimi juaj, mendimi im është se ju keni bërë të kundërtën: keni kërkuar që këto dëme mos të paguhen dhe procesi të prolongohet sa më afër zgjedhjeve komunale, për përfitime politike e që në rastet kur njerëzit kanë pësuar nga vërshimet ,është amorale dhe jo njerëzore me mëndue një gjë të tillë.
Qytetarët e Komunës së Dragashit janë shumë mirë të informuar për problemin e vërshimeve, andaj me këtë shkrim tuajin vetëm keni treguar fytyrën tuaj të vërtetë, si politikan gënjeshtar dhe mashtrues. Ju po dëshironi që unë ta mbyll gojën dhe të mos flas për këtë çështje, gjë të cilën nuk mund ta arrini kurrë.
Përveç vërshimeve, në këtë pamflet tuajin keni shkruar edhe për strukturat paralele. Më keni akuzuar se kam kritikuar Kryeministrin, gjë që nuk është e vërtetë. Unë vetëm kam konstatuar gjendjen dhe kam kërkuar nga Qeveria dhe Kryeministri që të reflektojnë dhe të paguajnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
Po ashtu, fajin për mospagesën e dëmeve nga vërshimet doni që t’ia lini Komisionit Komunal, gjë që po ashtu është një shpifje, sepse ky Komision ka kryer punën e tij në bazë të udhëzimeve të Komisionit Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, të cilët kanë qenë prezentë një herë në fillim të procesit të vlerësimit dhe në fund të procesit të vlerësimit.
Përveç vërshimeve, me këtë pamflet keni kritikuar dhe për punësimin e “paralelcave”, që është trillim, sepse personi për të cilin aludoni është kthyer në vendin e mëparshëm të punës, nga i cili vend ka shkuar si këshilltar i Kryeministrit Kurti.
P.S. Sa u përket lëvdatave të para disa ditëve të LVV-së në Dragash për Nënstacionin e ri 110/35/10(20) kV Dragash, qytetarët e dinë se Komuna e Dragashit ka kohë që është duke bashkëpunuar me KOSTT-in (investim i KfW (Bankën Gjermane për Zhvillim) për realizimin e këtij projekti, ku që nga muaji gusht i vitit 2023 kemi nënshkruar kontratën për dhënien e parcelës për ndërtimin e Nënstacionit të ri, i cili do të përmirësojë situatën me energji elektrike në Komunën tonë.
©TVOPOJA
Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...