Xhamia Mehmet Kuklibegu, në Bresanë, ka dëshmuar gjatë gjithë kohës në përgjithësi dhe gjatë Ramazanit në veçanti, se është më shumë se një vend adhurimi. Nën udhëheqjen e Imamit Xhevat ef. Fetahi dhe muezinit të nderuar, e me miratim edhe të KBI-Dragash, u organizua një numër i pasur aktivitetesh fetare.
Muaji i shenjtë nisi me një program festiv për nder të fillimit të Ramazanit nga nxënësit e mektebit të kësaj xhamie më 28 shkurt 2025, përpara namazit të Jacisë dhe Teravisë, ku morën pjesë edhe Sekretari dhe Kryeimami i KBI-Dragash.
Gjatë të gjitha ditëve të Ramazanit, mukabelet e lexuara në xhami nga Imami dhe Muezini krijuan një atmosferë të veçantë. Mukabelet u organizuan pas Imsakut, para Drekës, para Ikindisë dhe para Akshamit, duke përfunduar me sqarime të ajeteve të lexuara dhe në fund me duan e hatmës. Prezenca e mijëra besimtarëve dhe besimtareve në xhami, gjatë këtij muaji, më së miri e ka vërtetuar këtë.
Ligjëratat para xhumasë dhe hutbet, derset para Teravisë, derset pas namazit të Ikindisë çdo të enjte, ishin momente të edukimit. Në xhami u mbajtën gjithsej 53 ligjërata. Po ashtu, ndër ngjarjet më të veçanta ishte vizita e Kryeimamit të BIRK, Vedat ef. Saiti, dekanit të FSI dhe zyrtarëve për çështje fetare pranë ambasadës së Turqisë më 8 mars 2025.
Solidariteti i Ramazanit u manifestua me ndarjen e rreth 70 pakove ushqimore dhe miell për familjet në nevojë në Bresanë e Kuklibeg, si dhe dhurimin e një shume të konsiderueshme për shoqatën Bereqeti Dragash nga donatorët lokalë. Për më tepër, xhamia tuboi fonde të konsiderueshme nga Zekati dhe Sadekatul Fitri, si destinacion për Institucionin e BIRK.
Dhjetë netët e fundit të Ramazanit ishin një kulm i adhurimit intensiv, me namazin e natës të hapur për të dy gjinitë dhe të gjithë fshatrat tjerë të komunës së Dragashit. Në natën e fundit, Tesbih Namazi vulosi përmbylljen e këtij muaji të shenjtë, duke lënë një ndjesi përkushtimi dhe qetësie shpirtërore. Vërtet pati emocione të mëdha në fund të këtyre ibadeteve dhe duasë përmbyllëse, pas namazit të Teravisë dhe namazit të natës mes besimtarëve të kësaj treve që gravituan në xhami.
Aktivitetet përfunduan me një program festiv para Fitër Bajramit, ku nxënësit e Mektebit, nën përkujdesjen e Imamit, Hatibit dhe Mual-limit të tyre Xhevat ef. Fetahit, sollën atmosferën e gëzimit dhe shpresës.
Xhamia Mehmet Kuklibegu në Bresanë mbetet një shembull frymëzimi dhe angazhimi, duke treguar se përmes organizimit të mirë dhe përkushtimit, një komunitet mund të arrijë harmoni dhe lartësi shpirtërore. Kjo më së miri dëshmoi se “vërtet besimtarët janë vëllezër.”
©TVOPOJA