
Filiz Mustafa nga Vetëvendosje nis zyrtarisht fushatën në Dragash: “Bashkë për Sharrin, bashkë me qytetarët, për bashkëqeverisje!” njofton TV Opoja.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Dragashit, Filiz Mustafa, ka nisur zyrtarisht fushatën e tij me një mesazh të fuqishëm për qytetarët: përfshirje, bashkëpunim dhe ndryshim të vërtetë.
Në një tubim të mbajtur sot, Mustafa u shpreh i nderuar nga përkrahja e dhënë dhe theksoi rëndësinë e një kapitulli të ri për komunën, ku qytetari do të jetë në qendër të vendimmarrjes.
“Ky është fillimi i një kapitulli të ri për komunën tonë, ku qytetari është në qendër dhe pjesëmarrës në vendimmarrje, me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si alternativën më të mirë qeverisëse”, deklaroi Mustafa.
Ai premtoi një fushatë të afërt me qytetarët, duke shkuar lagje për lagje, shtëpi për shtëpi, deri më 12 tetor – data kur mbahen zgjedhjet lokale.
“Për fitoren e madhe, për fitoren që i duhet ndryshimit, për fitoren që u duhet qytetarëve”, shtoi më tej kandidati i VV-së.
Mustafa përfundoi fjalimin me një thirrje për unitet dhe përkushtim të përbashkët:
“Faleminderit dhe mirë se e filluam këtë garë të cilën deri në fund do ta çojmë bashkë. Na priftë e mbara!”