Qendra e VV në Dragash e quan avaz të vjetër të keqpërdorimit me destinacion të ri vendimin për vizitën studimore të anëtarëve të KK Dragash
Përmes një komunikate të lëshuar në faqen zyrtare, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dragash e ka kundërshtuar ashpër vendimin e Kuvendit Komunal për ndarjen e mjeteve në vlerë 9,800€ për qëllim vizitë studimore, gjithnjë sipas institucionit të lartëcekur.
Ata konstatojnë se këto vizita mund të kenë gjithçka në përmbajtje, përveç studimit, pasi që siç edhe kanë potencuar “studimi nuk ekziston në agjendën e tyre”.
Kjo është hera e tretë me rradhë që VETËVENDOSJE!e Sharrit e kundërshton ashpër vendimin për vizitat studimore. Aq kohë sa janë të përfaqësuar për herë të parë në KK në Dragash.
Avazi i vjetër i keqpërdorimit të parave të taksapaguesëve vazhdon me destinacion të ri
Siç edhe është bërë traditë keqpërdorimi i taksave të qytetarëve duke u mbuluar nën petkun e arsyetimit si “vizita studimore”, këtë vit Kuvendi Komunal i Sharrit, ka ndarë mjete në vlerë 9,800€ për “vizitë studimore” të anëtarëve të këtij institucioni në Bursa të Turqisë.
Ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të tyre dhe kërkojmë nga institucioni i lartëpërmendur që të ndalen njëherë e përgjithmonë këto keqpërdorime duke u shitur si vizita studimore. Gjithçka mund të konsiderohen këto vizita, vetëm studimore jo, pasi që studimi nuk ekziston fare në agjendën e tyre.
Të bashkangjitur në foto e gjeni njoftimin për kontratë të shpallur nga Kuvendi Komunal.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sharr
15 nëntor 2019