Punimet në rrugën Zhur-Sharr-Brod kanë rifilluar e po vazhdojnë me intensitet të lartë përgjatë këtyre ditëve. Sikurëse në shumë rrugë të tjera anembanë vendit, punimet në këtë rrugë të frekuentuar jashtëzakonisht shumë nga qytetarët e komunës së Sharrit dhe jo vetëm, ishin pezulluar si pasojë e mosekzekutimit të pagesave për operatorët e kontraktuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.
Nga viti 2013 kur kishin filluar punimet në zgjerimin dhe rregullimin e kësaj rruge, ka pasur periudhë maratonike të ndërprerjeve, në secilën qeveri e nga secili ekzekutiv i përbërë prej pushteteve të kaluara.
Sot, zv.Ministri i Ministrisë për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, z.Hysen Durmishi, ka vizituar për së afërmi dhe inspektuar punimet në rrugën që lidhë qytetin e Sharrit me Prizrenin dhe rrugën Sharr-Brod. Ai është shprehur se punimet do të vazhdojnë me intensitet edhe më të lartë ditët në vijim dhe se është e rëndësisë së veçantë që kjo rrugë të përfundojë sa më parë.
Besimit qytetar të 14 shkurtit as nuk duhet e as nuk do t’i përgjigjemi ndryshe përveçse me përkushtim të lartë për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve, përgjegjësi maksimale ndaj tyre në kryerjen e detyrave që na i kanë besuar dhe çasje krejt ndryshe nga ajo që është parë deri më tani.
Ndryshimi po bëhet i vërejtshëm çdo ditë. Ndryshimi do të bëhet edhe më i plotë në vjeshtën e këtij viti me fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në komunën tonë e në shumë të tjera anembanë vendit. Sepse epokë tjetër ka filluar që nga data 14 shkurt e këtij viti.
Dhe, sepse ndryshimi që do ta sjell kjo epokë nuk ndalet e as nuk tjetërsohet dot thuhet në njoftimin e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje dega në Sharr raporton televizioni Opoja.