Ashtu si edhe u prit, ndeshja miqësore e organizuar për nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhuroi spektakël. Të pranishmit u argëtuan duke i parë në fushë edhe një herë ata që i bënin krenar shumë vite më parë me paraqitjet e tyre në ligën e Kosovës. Për ta bërë edhe më të bukur këtë ndeshje, lojtarët u paraqitën me fanellat zyrtare të asaj kohe, gjë që ngjalli shumë emocion!
Ndeshja dhuroi shumë gola nga të dy skuadrat dhe fitues dolën veteranët e Opojës. Kjo ndeshje ndërmjet veteranëve të Opojës dhe Bresanës erdhi si ide nga profesor Fitim Tefiku, si ish-pjesëtar i KF Bresanës, për të festuar 17 Shkurtin, ditën e pavarësisë, si një respekt për kontributin e dhënë nga këta lojtarë si gjeneratë që kanë mbajtur gjallë sportin në trevën e Opojës gjatë okupimit serb para lufte dhe mbas luftës.
Kështu duke u treguar gjeneratave të reja se si është ruajtur futbolli dhe është kultivuar në trevën tonë. Me të dëgjuar këtë ide, edhe ne si televizioni Opoja ishim mbështetës të këtij organizimi, duke e transmetuar këtë ndeshje live në TV dhe rrjetet sociale.
©TVOPOJA