Më 28 mars 2026, në Sallën e Aktiviteteve Kulturore të ShML “Ruzhdi Berisha”, u zhvillua Olimpiada Komunale e Kimisë për nxënësit e klasave të 10-ta, 11-ta dhe 12-ta. Aktiviteti filloi në ora 10:30 dhe mblodhi nxënësit më të përkushtuar e të talentuar në fushën e kimisë.
Olimpiada shërbeu si një platformë për të evidentuar njohuritë dhe aftësitë e nxënësve, duke i motivuar ata të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik. Nxënësit më të suksesshëm nga kjo garë do të kenë mundësinë të përfaqësojnë komunën në Olimpiadën Republikane të Kimisë, duke e çuar më tej pasionin e tyre për shkencën.
Koordinatori i këtij aktiviteti ishte profesori i shkollës, Driton Sallahu, i cili udhëhoqi me profesionalizëm organizimin dhe mbarëvajtjen e garës.
Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit të shkollës dhe nxënësve për të promovuar dijen dhe shkencën, duke e bërë Dragashin pjesë të rëndësishme të garave akademike në nivel republikan.
©TVOPOJA