Sot, në ambientet e shtëpisë së kulturës “Alajdin Xhezairi” në Bresanë, u mbajt programi i duas së Hatmës me vijuesit e mësim-besimit pranë xhamisë së vjetër. Njëzet nxënës nga fshatrat Bresanë dhe Kuklibeg prezentuan në programin e duas së Hatmës para një numri të madh të pranishmëve.
Xhamia e vjetër në Bresanë gjithmonë është njohur si vatër e mësim-besimit. Që nga viti 1532, kur u ndërtua kjo xhami e deri sot, mësim-besimi kurrë nuk ka munguar, madje as në kohët më të vështira. Kjo falë hoxhallarëve që kurrë nuk rreshtën së punuari, duke lënë anash të gjitha punët e tjera.
Sot u manifestua programi i duas së Hatmës me Kuran, ilahi dhe poezi. Pjesëmarrës në këtë manifestim ishin përfaqësues nga BIK, KBI-ja në Dragash dhe shoqata Bereqeti, kryetari i komunës, familjarë dhe prindër.
Imami i kësaj xhamie, Xhevat ef. Fetahi, në fjalimin mirëseardhës falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen në këtë manifestim dhe, në veçanti, uroi prindërit dhe nxënësit, të cilët kanë përfunduar leximin e Kuranit.
Falënderime dhe urime për nxënësit dhe për imamin e xhamisë pati edhe nga të gjithë të pranishmit e tjerë, e në veçanti nga z. Fitim Flugaj nga BIK, i cili theksoi se BIK krenohet me të arriturat e hoxhës dhe nxënësve, duke shtuar se Bresana dhe fshatrat e tjerë të Opojës janë shembull për gjithë Kosovën e më gjerë.
Në fund të manifestimit, përveç mirënjohjeve dhe pakove që iu ndanë nxënësve nga KBI-ja në Dragash, ata pranuan dhurata edhe nga shoqata Bereqeti dhe një mërgimtar.
©TVOPOJA