Në prag të festës së 1 Qershorit, Komuna e Dragashit, në bashkëpunim me organizatën Nevo Koncepti dhe me mbështetjen financiare të Save The Children, ka bërë hapin e rëndësishëm të krijimit të Asamblesë Komunale të Fëmijëve. Kjo asamble është një platformë legjitime që mundëson organizimin, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal. Institucioni i ri synon të fuqizojë zërin e fëmijëve dhe të garantojë pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në zhvillimet që i prekin.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, panelistët shprehën urimet e tyre ndaj nxënësve dhe të gjithë pjesëmarrësve, duke vënë theksin në rëndësinë e rinisë si të ardhmen e vendit dhe nevojën që zëri i tyre të dëgjohet dhe të merret parasysh.
Struktura e Asamblesë Komunale të Fëmijëve u formua me zgjedhjen e Kryesuesit të Asamblesë, dy nënkryetarëve dhe dy sekretarëve. Kandidatët për këto pozita u propozuan nga drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të komunës së Dragashit dhe u votuan nga të pranishmit në asamble. Në këto role u zgjodhën tre anëtarë nga komuniteti shumicë dhe dy nga komuniteti pakicë.
Si Kryesuese e Asamblesë u zgjodh nxënësja Vesa Myrtezani nga shkolla “Ilmi Bahtijari”, ndërsa Hysniu dhe Sara u zgjodhën si nënkryetarë, dhe Besforti me Kejdin si sekretarë të asamblesë. Pas zgjedhjes, në një akt simbolik, paneli i dorëzoi përgjegjësitë zyrtarëve të rinj të Asamblesë për Fëmijë, të cilët zotuan angazhim dhe bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin Komunal të Dragashit për të avancuar interesat dhe mirëqenien e fëmijëve në komunitet.
©TVOPOJA